Në Projektligjin e ri për Maturën Shtetërore janë përcaktuar disa masa disiplinore dhe gjoba kundërvajtëse që nuk i ka ligji i vjetër.
Ky projektligj pritet të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës, sot më 23.04.2026, pasi u miratua në lexim të parë para dy javësh.Sipas nenit 24 të Projektligjit, shkeljet kundërvajtëse gjatë procesit të provimit të Maturës Shtetërore pritet të sanksionohen me gjobë deri në 20 mijë euro. S
hkelje disiplinore do të konsiderohet çdo shkelje e detyrave dhe përgjegjësive të punës së personit apo personave të autorizuar për organizimin dhe mbarëvajtjen e provimit të Maturës, e të cilat nuk e kanë arritur shkallën e rrezikshmërisë për t’u konsideruar kundërvajtje sipas Projektligjit.
Shkelësve do t’iu konstatohen masat disiplinore si: shkëputje të kontratës së angazhimit për shërbyes si person i autorizuar në procesin e provimit të Maturës; vendim mbi moskompensimin ose kompensimin e pjesshëm të personit të autorizuar në procesin e provimit të Maturës.
“Publikim i emrit në listën e shkelësve të rregullave disiplinore të Ministrisë. Heqje e së drejtës për të shërbyer si person i autorizuar në procesin e Maturës.” – vazhdon neni 25 i Projektligjit për Maturën.
Për Arjeta Fejzën, kryetaren e Komisionit parlamentar për Arsim, këto masa disiplinore janë plotësisht të arsyeshme për të parandaluar dëmet dhe për të mbrojtur integritetin e provimit të Maturës, pasi thotë se viteve të kaluara rrjedhja e testeve dhe përdorimi i telefonave kanë zbehur besueshmërinë e procesit.
Përgjatë viteve, pyetjet e këtij provimi janë shpërndarë në rrjete sociale dhe rastet e kopjimit kanë qenë të pashmangshme.
“Jo çdo shkelje trajtohet me gjobë, por parashihen edhe masa administrative më të buta dhe proporcionale. Po ashtu, ekziston hapësirë për masa shtesë, pasi vetë ligji mundëson që procedurat dhe detyrat të rregullohen më tej me akte nënligjore (neni 14), pa qenë e nevojshme të ndryshohet ligji bazë.” – ka deklaruar Fejza për KALLXO.com.
Sipas Osman Buleshkajt, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Pedagogjik të Kosovës, masat që parandalojnë veprimet, të cilat e dëmtojnë procesin dhe ulin besimin në provimin e Maturës, do të duhej të përfshinin ofrimin e edukimit cilësor, përmbushjen e potencialit të nxënësve për të treguar rezultate më të larta në Maturë.
“Duhet të ndërmerren masa lidhur me parapërgatitjen e nxënësve për provimin e Maturës, si: mësim shtesë për një muaj nga secila shkollë pas përfundimit të mësimit të rregullt, organizimi i aktiviteteve për informim, sensibilizim e edukim me qëllim të evitimin të kopjimeve gjatë provimit si dhe parandalimin e çdo forme tjetër të abuzimit me provimin e Maturës.” – ka thënë Buleshkaj.
Ai vlerëson se është shumë e nevojshme dhe shumë urgjente, që diskutimi për Maturën të orientohet në dimensione tjera, siç janë: përmbajtja e provimit, kërkesat dhe formati, modeli dhe modalitetet e organizimit të provimit, mbështetja që duhet ofruar për nxënës për përgatitjen paraprake për provim.
“Këto, dhe shumë çështje që shkojnë përtej administrimit të provimit, duhet trajtuar pa vonesë. Ndryshe, do të zbehet rëndësia dhe do të zvogëlohet tutje besimi në këtë proces dhe provim me shumë rëndësi për përfundimin e nivelit të arsimit paraunivesitar.” – ka theksuar Buleshkaj.
Në ligjin e ri nuk është thënë shprehimisht se kandidatët të cilët gjatë provimit të Maturës shkelin rregullat e mirësjelljes iu anulohet testi dhe i nënshtrohen provimit në afatet vijuese. Kjo është zbatuar dhe ka qenë në paragrafin 3 të nenit 29 të ligjit të vitit 2016.
Fejza është arsyetuar duke thënë se edhe pse nuk e kanë përfshirë këtë dispozitë “menaxhimi i rasteve të shkeljes së rregullave të mirësjelljes bëhet përmes dallimit ndërmjet kundërvajtjeve (neni 24) dhe shkeljeve disiplinore (neni 25), si dhe përmes rregullave të detajuara në aktet nënligjore.”
Kundërvajtjet dhe gjobat
Në rast se konstatohet kundërvajtja e tillë si qasje e pautorizuar në dokumente dhe të dhëna që klasifikohen si sekrete apo mundësim i qasjes në to pa autorizim, si dhe shpërndarje e materialeve testuese, ky Ligj e dënon personin fizik me 1 mijë deri 2 mijë euro, kurse personin juridik me 5 mijë deri në 15 mijë euro.
Të bërit të mundur nga ana e personit zyrtar i aktivitetit kopjues ose keqpërdorues sistematik në ambientet ku mbahet provimi shtetëror i maturës, do të dënohet personi fizik me 1 mijë deri 2 mijë euro, kurse ai juridik me 5 mijë deri 20 mijë euro.
Gjoba prej 1 mijë deri 1 mijë e 500 euro për personin fizik dhe 5 mijë deri 10 mijë euro për personin juridik do të shqiptohen për këto tri shkelje:
– Moslajmërimi, nga ana e personit zyrtar, në organet më të larta për aktivitete kopjuese ose keqpërdoruese sistematike në ambientet ku mbahet provimi i maturës;
– Mosbindja serioze e personit të autorizuar ndaj urdhrave dhe udhëzimeve të organeve që e organizojnë provimin e Maturës;
-Organizimi i aktivitetit të shkeljeve serioze të legjislacionit nga ana e personave të autorizuar dhe palët e përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Fejza vlerëson se këto shkelje e dëmtojnë drejtpërdrejt barazinë dhe meritokracinë në arsim.
“Për këtë arsye, janë paraparë gjoba më të larta, sidomos për personat juridikë, duke marrë parasysh ndikimin e madh që mund të kenë në proces dhe nevojën për parandalim efektiv.” – ka shpjeguar ajo.
Në Ligjin nr. 05/L-018 ishin përcaktuar gjoba prej 300 euro deri në 3 mijë euro në nenin 29 dhe në këtë nen ishte përcaktuar se kandidatët që gjatë provimit të Maturës shkelin rregullat e mirësjelljes, iu anulohet testi i Maturës dhe i nënshtrohen provimit në afatet vijuese.
Zbatimin e procedurave disiplinore dhe dënimet me gjobë do t’i mbikëqyrë Inspektorati i Arsimit, në të cilin janë të punësuar 44 inspektorë.
Sipas Fejzas, mandatin e kaluar është dyfishuar numri i inspektorëve dhe ky është lajm i mirë, por thotë se ky numër duhet të vazhdojë të rritet.
Kurse, Buleshkaj thotë se nuk ka numër të mjaftueshëm të inspektorëve, e Ministria duhet të vazhdoj me rekrutime sipas planit për rritjen e numrit të tyre.
“Duhet punuar që Inspektorati i Arsimit të ketë sa më pak punë. Ne duhet të mësojmë nga përvojat e deritashme si dhe të mësojmë nga praktikat e mira të vendeve që kanë sistem dhe provim të Maturës.” – shtoi Buleshkaj.
Provimi
Në Provimin e Maturës nxënësit kanë nga 25 pyetje në katër lëndë, tri prej tyre janë: Gjuhë shqipe, Matematikë dhe Gjuhë angleze. Kurse, lënda e katërt zgjidhet nga vetë nxënësi, e që përfshin njërën nga lëndët e tjera të mbetura.
Pragu i kalueshmërisë në provimin e Maturës Shtetërore është 40%.
Ligji i ri u jep të drejtën kandidatëve të pakënaqur me rezultatet e arritura në provim që ta refuzojnë rezultatin me shkrim para marrjes së certifikatës dhe t’i nënshtrohen provimit të Maturës në afatet vijuese.
Më 03.02.2026, Ministria e Arsimit ka vendosur që afati i parë i provimit të Maturës të organizohet më 20.06.2026, kurse afati i dytë më 29.08.2026. /Kallxo.com