Projekti ,,Modalitete Kërkimore në Arkivat e Venecias”, që është edhe projekt bilateral mes Kosovës e Shqipërisë, ka mundësuar marrëveshjen mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ,,Pjetër Bodgani” dhe Bibliotekës Nazionale Marciana të Venecias.
Kjo është marrëveshja e parë e nënshkruar me Italinë në fushën e bibliotekarisë.
Duke qenë se në Kosovë ende nuk ka programe të studimeve për Bibliotekari e Arkivistikë, kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë, pasi mundësoi edhe një trajnim intensiv të personelit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Marciana.
Departamenti i Didaktikës së Bibliotekës Marciana është i njohur për profesionalizmin e lartë në formimin e bibliotekarëve dhe arkivistëve.
Biblioteka Nacionale Marciana është njëra nga bibliotekat më prestigjioze evropiane, ku ruhen katalogë të rrallë e dorëshkrime që nga mesjeta, veçmas shquhet për katalogët në fushën e muzikës, gjë që hap mundësi të shumta bashkëpunimi për studiuesit e shkencave humane dhe të artit.
Projekti i Universitetit të Prishtinës, me koordinatore, prof. Majlinda Bregasi, po udhëhiqet nga studiuesja e mirënjohur veneciane Lucia Nadin. Në këtë projekt marrin pjesë prof. dr. Albulena Blakaj, prof. dr. Hazir Haziri dhe prof. asoc. Abdulla Rexhepi.
Rezultatet dhe rekomandimet e projektit kërkimor bilateral, të mbështetur nga MAShTI, do të bëhen publike së shpejti. Universiteti i Prishtinës, në vitin 2025, kur festoi 55 vjetorin e themelimit, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bodgani”.