Projekbuxheti prej 3.2 miliardë euro për vitin 2023 i miratuar të premten në Qeverinë e Kosovës po konsiderohet jo gjithpërfshirës në këtë krizë financiare të shkaktuar nga rritja enorme e normës së inflacionit.
Me buxhetin e vitit të ardhshëm nuk janë planifikuar edhe ndarjet buxhetore të veçanta për Projektligjin për pagat, si dhe nuk është vënë në prioritet sektori i energjetik për investime.
Ekspertë të ekonomisë dhe partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës kërkojnë që me këtë projektbuxhet, qeveria të kenë në prioritet ndarjet buxhetore edhe për Ligjin e pagave, investimet në sektorin e energjisë, si dhe për mbështetjen e qytetarëve në përballimin e inflacionit apo rritjes së çmimeve.
Profesori universitar Sejdi Rexhepi ka thënë për KosovaPress, se me buxhetin e vitit 2023 duhet të përfshihen të gjitha zotimet e kësaj qeverie, përfshirë këtu edhe ndarjet buxhetore për Ligjin e pagave, i cili pritet të marrë pëlqimin e qeverisë fillimisht dhe pastaj kuvendit.
Ai po ashtu ka kërkuar edhe indeksimin e pagave me buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Në buxhet duhet të përfshihen të gjitha ato kërkesa për të cilat qeveria ka marrë zotim që do t’i realizojë, sikur Projektligji për pagat që është në diskutim e sipër. Për këtë mendoje se do ta kenë parasysh me buxhetin e vitit të ardhshëm. Por, mendoj se duhet kenë parasysh edhe indeksimin e pagave dhe të gjitha dhënieve të tjera që bëhen nga buxheti, siç janë pensionet, skemat sociale. Pra, të ndodhë indeksimi për nivelin e rritjes së çmimeve të shportës së konsumatorit”, thotë ai.
Profesori Rexhepi ka thënë po ashtu se qeveria duhet ta ketë prioritet sektorin e energjisë për realizimin e projekteve energjetike për shkak të krizës me çmime enorm të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
“Qeveria duhet të fillojë të mendojë me këtë buxhet edhe për politika afatmesme. Duhet të adresohet ajo që ka të bëjë sipas mazhorancës ‘nuk është realizuar qe 20 vjet’. Normalisht që nuk realizohet brenda një mandati, çështja e zgjidhjes së problemit të energjisë. Duhet të fillojë kjo qeveri të paktën me ndarë mjete për matjet të fizibilitetit ose mundësisë së realizimit të projekteve të ndryshme të cilat duhet të shihen si alternativë për periudhën që vjen”, thotë ai.
Anëtari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, nga PDK-ja, Ferat Shala thotë se projektbuxheti i vitit të ardhshëm duhet të jetë më i konsoliduar dhe më përfshirës për Ligjin e pagave, përfshirë edhe kategoritë e dala nga lufta.
Deputeti Shala thotë po ashtu se shumë sektorë të tjerë duhet të ketë ndarje buxhetore, konform rrethanave dhe situatës së përgjithshme globale-ekonomike si rrjedhojë e inflacionit.
“Projektligji do të duhej fillimisht t’i trajtojë të gjitha ato shqetësime dhe situatat cilat janë diskutuar dhe janë ngritë nga kategoritë dhe grupet e interesit gjatë vitit që po e lëmë pas, me theks të veçantë pres që projektbuxheti i vitit të ardhshëm të jetë shumë më i konsoliduar dhe përfshirës për Ligjin e pagave, për të gjitha kategoritë, po ashtu edhe për kategoritë sociale dhe ato të dala nga lufta. Pastaj për sektorin e energjisë duhet të ketë një fond shumë më të konsoliduar në këtë fushë, pse jo edhe për investime strategjike në sektorin e energjisë që duhet të fillojnë nga viti i ardhshëm, ndryshe jemi tepër vonë. Po ashtu, edhe për shumë sektorë të tjerë duhet të ketë ndarje buxhetore, konform rrethanave dhe situatës së përgjithshme globale ekonomike, inflacionit të lartë duhet të kemi një buxhet mirë të planifikuar që të përballojmë edhe furnizimin dhe rezervat e veçanta shtetërore”, thotë ai.
Në mbledhjen e qeverisë kur u miratua Projektbuxbeti, kryeministri Albin Kurti nuk kanë përmendur buxhetimin e Ligjit të Pagave. Ndërkohë, nga Qeveria dhe Ministria e Financave dnuk janë përgjigjur për KosovaPress, nëse ka mjete buxhetore për këtë ligj. Veçse kryeministri Kurti ka thënë se rritje e zhvillim ekonomik pritet edhe me buxhetin e vitit 2023, i cili është më i larti e më gjithpërfshirësi ndonjëherë.
Projektbuxheti 2023 kap vlerën prej 3 miliardë e 212 milionë euro, 8.7% apo 220 milionë euro më i shumë se sa ai i vitit 2022.
Nga kabineti qeveritar kanë thënë se Projektbuxheti për vitin 2023 vazhdon mbështetjen për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë, gjë që përkon drejtpërdrejtë me prioritetet e programit qeverisës. Po ashtu, për ushtrinë është thënë të jenë ndarë 123 milionë euro.