Programi i mësimit të shqipes në Diasporë do të zgjerohet edhe me një aplikacion

- Advertisement -

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste njoftoi sot nga Kreta krijimin e një aplikacioni për mësimin e gjuhës shqipe, i cili do të jetë shumë shpejt gati për përdorim.

Në një takim me shqiptarët në Kretë, Greqi, në kuadër të turit të takimeve me diasporën, Rama u ndal te programi i mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve jashtë vendit.

- Advertisement -

“Ne kemi nisur një program për mësimin e shqipes dhe kemi vënë në dispozicion të komunitetit këtu në Greqi 50 mësues nga të cilët 8 janë këtu në Kretë. Qëllimi ynë dhe objektivat tona lidhur me gjeneratën e fëmijëve që kanë lindur dhe rriten këtu dhe që ju me të drejtë doni që të mos e humbin gjuhën shqipe, janë për shumë më tepër se kaq”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se programi i mësimit të gjuhës shqipe do të zgjerohet qoftë me mësues drejtpërdrejt, por edhe me një aplikacion që është thuajse gati.

“Ne do ta tregojmë në javët që vijnë një aplikacion që gjithkush do të mund ta fusë në telefonin e vet për t’i mësuar fëmijëve gjuhën shqipe në një mënyrë shumë miqësore dhe tërheqëse. Ne duam që fëmijët e Shqipërisë jashtë Shqipërisë të zgjedhin të jetojnë ku të duan, por ama çdo herë të dëgjojnë shqip, të dinë jo vetëm çfarë thuhet por edhe çfarë të thonë”, tha Rama./ATA/