Departamenti i Inxhinierisë Kompjuterike dhe Softuerike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” po vlerësohet si department aktraktiv për studentët e rinj.
Profesori i këtij departamenti, Blerim Rexha thotë se arsyeja kryesore për këtë është fakti që tregu global i kësaj fushe është në rritje e sipër dhe pagat që ofrohen janë të larta.
“Ne kemi qenë atraktivë tani nja 7-8 vite edhe meritat për këtë nuk i kemi ne, mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës, nuk i kanë mësimdhënësit e universiteteve apo kolegjeve tjera por i ka tregu global i ICT-së, i inxhinierisë kompjuterike i cili është në rritje e sipër dhe kjo vala e kërkesave tani ka mbërri në Kosovë. Edhe raporti i fundit i Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë e ka dokumentuar këtë në mënyrë empirike, ku ka dhënë në rend të parë rrogat që është motivi kryesor i të rinjve për të gjet një punë”, ka thënë Rexha.
“Aty i shohim rrogat që fillojnë prej 900 euro prej atyre që në brançën tonë i themi ‘Junior Software Developer’ deri në Senio që mbërrijnë një rrogë deri në 2900 euro. Dhe ky është shtytësi kryesor sepse të rinjtë tanë janë jashtëzakonisht mirë të informum, për ta internet është pjesë e mediumit që ata i qasen përditë dhe aty i gjejnë të gjitha këto se çka i pret. Në fund një profesion, një program i studimit e ka për qëllim që të na lehtësojë punën, të na lehtësojë jetën, të jetojmë ma mirë me më pak energji të investume në to edhe tregu i punës po thotë që me këtë profesion mund të kemi të ardhura më të mira se të tjerat, më të mira se tjerat, tregu i punës e ka fol qartë”, ka shtuar ai.
Tjetër arsye sipas Rexhës është edhe dyfishimi i kompanive të IT-së në vend.
“Ky raport po ashtu tregon që dy vitet e fundit kemi dyfishim të numrit të kompanive të IT-së në Kosovë që është mirë sepse tani i shohim shumë kompani që kanë zyre edhe shumë që punojnë remote edhe kjo e bën jashtëzakonisht të madhe kërkesën edhe për studentë tanë, jo vetëm në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të UP-së por edhe të institucioneve tjera edhe private, po i pranon tregu i punës sepse ka kërkesë të madhe”, ka thënë Rexha në Ditari në Tëvë 1.