Dashuria për gjuhën, artin dhe sportin është ndërthurur në një krijim të veçantë të profesorit Ylber Shala nga Lipjani, i cili ka shkruar tekstin e një kënge kushtuar Kombëtares Shqiptare të Futbollit.
Ylber Shala, profesor i Gjuhës Shqipe dhe punëtor i arsimit prej dy dekadash në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, ka vendosur që emocionet dhe krenarinë kombëtare t’i shprehë përmes vargjeve, duke ia kushtuar këtë tekst ekipit përfaqësues të Shqipërisë.
“Jam profesor i Gjuhës Shqipe, Ylber Shala. Prej 20 vitesh punoj në Gjimnazin ‘Ulpiana’ në Lipjan. Kam shkruar këtë tekst kënge për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit, me shumë dashuri, emocion dhe krenari kombëtare”, ka thënë Shala për AlbanianEducation.net.
Frymëzimi për këtë tekst ka ardhur nga përfaqësimi dinjitoz i lojtarëve kuqezi, emocionet që ata ngjallin dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare që përcillet në çdo ndeshje.