Një rast i rëndë i dyshuar për ngacmim seksual ka tronditur qytetin e Gjilanit.
I dyshuari në këtë rast është I. Sh., rreth 62-vjeçar, profesor në Shkollën e Mesme të Lartë Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan, është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimet se ka pasur sjellje të papërshtatshme ndaj një nxënëse të mitur gjatë orarit mësimor, raporton gazeta Sinjali.
Rasti është raportuar më 27 janar 2026, kur viktima e mitur, rreth 15-vjeçare, është paraqitur në Stacionin Policor në Gjilan së bashku me nënën e saj, duke deklaruar se ngjarja kishte ndodhur brenda ambienteve shkollore.
Përveç deklaratës së viktimës, në procedurë është intervistuar edhe një nxënëse tjetër e së njëjtës klasë, e cila ka konfirmuar se kishte vërejtur dhe dëgjuar sjellje të papërshtatshme nga ana e profesorit ndaj viktimës.
Pas intervistimit të të gjitha palëve, përfshirë edhe të dyshuarin në prani të avokatit mbrojtës, Prokuroria ka vendosur masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë marrë në trajtim nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan.
Rasti vazhdon të hetohet, ndërkohë që Prokuroria ka theksuar se mbrojtja e viktimës së mitur dhe zbardhja e plotë e rrethanave mbeten prioritet absolut.