Profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës, prof. Bajram Berisha, është renditur i 29-ti ndër 100 shkencëtarët më të mirë në Evropë në fushën „Bujqësi dhe Pylltari”, sipas publikimit të fundit të AD Scientific Index (2026).
Ky vlerësim ndërkombëtar, i bazuar në indikatorë objektivë, si impakti i publikimeve shkencore ( H-index), publikimet që janë cituar më së paku 10 herë (i10-index), citimet totale gjatë karrierës dhe citimet e pesëvjeçarit të fundit, e vendos prof. Bajram Berishën në një pozitë të veçantë në shkencën evropiane, duke dëshmuar kontributin e tij të pandërprerë dhe të qëndrueshëm në kërkimin shkencor bashkëkohor.
Përfshirja e profesorit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, prof. Bajram Berishës në listën „Europe Top 100 Scientists” e pozicionon Universitetin e Prishtinës si një institucion që krijon shkencëtarë të rangut evropian me produktivitet të lartë, standarde të avancuara dhe potencial të vërtetë inovativ, duke e forcuar reputacionin e UP-së si qendër kërkimore me ndikim në nivel ndërkombëtar.

Edhe vitin e kaluar, profesori Bajram Berisha hyri në mesin e 100 shkencëtarëve më të suksesshëm të Evropës në renditjen e AD Scientific Index (2025). Kjo platformë globale, e shquar dhe transparente renditjen e saj e bazon duke u mbështetur në të dhënat nga „Google Scholar”.