Profesoresha e Universitetit Monash të Australisë, e afiliuar në Universitetin e Prishtinës, prof Zanfina Ademi mbajti një ligjëratë në Degën e Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.
Profesoresha nga diaspora akademike që është shkencëtarja më e cituar shqiptare në botë, ligjëroi para studentëve të vitit të katërt në lidhje me rimbursimin e barnave në sistemin farmaceutik, duke marrë shembull se si funksionon ekonomia shëndetësore në Australi.
Ndryshe nga Kosova që vetëm mbështet financiarisht listën e barnave esenciale, në Australi ka disa mekanizma institucionalë vlerësues të një bari, para se ai të rimbursohet.
Në këtë shtet kur një bar i ri për një sëmundje të caktuar hyn në treg, vlerësohet për efikasitetin, kosto-efektivitetin dhe analizën e ndikimit në buxhet, duke u krahasuar me barnat aktualë për të njëjtën sëmundje. Në Australi një bar i ri mbështetet nga shteti nëse përmirëson cilësinë e jetës dhe zgjat jetën e pacientëve.

Profesoresha Zanfina Ademi tregoi se në disa shtete, përveç efikasitetit, kosto-efektivitetit dhe analizës së ndikimit buxhetor, vlerësohet edhe dobia shoqërore e barit. Nëse një bar e rrit cilësinë dhe jetëgjatësinë e jetës së pacientëve me sëmundje të rënda, duke ua mundësuar të jetojnë pa shoqërues, atëherë ai ndikon direkt në ekonominë e vendit, pasi arrihet punësimi edhe i njerëzve që duhej të kujdeseshin për të sëmurët në kushte shtëpie.
Profesoresha, teksa iu përgjigj pyetjeve për ligjëratën, i porositi studentët e Universitetit të Prishtinës që të përcaktohen për ndryshime, edhe pse tregoi se ndryshimet bëhen shumë vështirë dhe për to duhet punë e madhe. Zanfina Ademi në Degën e Farmacisë të UP-së do të japë me kohë të pjesshme lëndën Menaxhment farmaceutik.

Një ditë para ligjëratës, profesoresha e njohur u takua me prorektorët Rozafa Basha, Albana Berisha-Qehaja, Majlinda Gjelaj dhe Adem Beha.
Prorektorët e vlerësuan lart gatishmërinë e profesoreshës Ademi dhe studiuesve tjerë nga diaspora akademike për të kontribuuar për UP-në, ndërsa profesoresha e nderuar shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin dhe praninë në mjediset e Universitetit të Prishtinës.
Prof. Zanfina Ademi u afiliua me UP-në në mbledhjen e Senatit të zhvilluar më 20 shkurt 2026, në bazë të Rregullores për transferim, programin “Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, që synon të sjellë në Universitetin e Prishtinës profesionistë të dëshmuar nga 400 universitetet më të njohura të globit.
Deri tash me këtë rregullore janë lidhur edhe me UP-në tetë profesorë nga universitete të njohura botërore.