Më 2 shtator (e hënë) fillon mësimi në shkollat e Kosovës. Me këtë rast një shkrim ka bërë edhe profesoresha universitare, Albena Reshitaj, e cila ka thënë se arsimi është shtylla kryesore mbi të cilën qëndron e ardhmja e vendit.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se mësuesit janë rojat e së ardhmes sonë, ata që formojnë mendjet dhe karakteret e liderëve të nesërm, shkruan AlbanianEducation.net.
Postimi i saj:
*Një sistem arsimor cilësor, gjithëpërfshirës dhe i barabartë është themeli i një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme*
Dita e parë e shkollës është më shumë sesa një fillim i një etape arsimuese, më shumë se sa një kthim në klasë.
Fillimi i vitit shkollor është edhe një reflektim i aspiratave tona kombëtare për një shoqëri të arsimuar dhe të përparuar.
Arsimi është shtylla kryesore mbi të cilën qëndron e ardhmja e vendit.
Çdo fëmijë që hap librin e tij të parë, që dëgjon me vëmendje mësuesen apo mësuesin e tij të parë, është një gur themeli në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më të begatë.
Investimi në shkollim nuk është thjeshtë një detyrë e qeverisë, por një përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.
Mësuesit janë rojat e së ardhmes sonë, ata që formojnë mendjet dhe karakteret e liderëve të nesërm. Prindërit janë bashkëpunëtorët e parë në këtë proces, duke mbështetur dhe inkurajuar fëmijët e tyre që të përqafojnë diturinë si një mjet për të ndërtuar një jetë më të mirë.
Politikat arsimore që ne zgjedhim të ndjekim sot do të përcaktojnë kursin e kombit tonë për dekadat që vijnë Një vend që vlerëson arsimimin e të rinjve të tij, është një vend që investon në paqe, zhvillim dhe prosperitet të qëndrueshëm.
Le të jetë kjo ditë një fillim i ri, jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë ne, për t’u angazhuar më shumë në ndërtimin e një të ardhme të ndritur për vendin tonë.
Gëzuar ditën e parë të shkollës, dhe le të jetë kjo ditë një hap më afër ëndrrave që ne si komb synojmë të realizojmë!