Me rastin e ditëlindjes së nënës së saj, profesoreshës Sala Ahmeti, politikania Vlora Çitaku ka ndarë një mesazh të ndjerë urimi, duke shprehur mirënjohje për rolin e saj në familje dhe në edukimin e shumë brezave, shkruan AlbanianEducation.net.
Në urimin e saj, Vlora Çitaku e falënderon nënën për vlerat që u ka përcjellë fëmijëve të saj, duke theksuar se ajo i ka rritur me dashuri, çiltërsi dhe me besimin se dija, puna dhe mirësia janë ndër pasuritë më të mëdha të njeriut.
Ajo vlerëson veçanërisht kontributin shumëvjeçar të Sala Ahmetit si mësimdhënëse, duke theksuar se për dekada me radhë ajo ka frymëzuar mijëra vajza në Kosovë me dashurinë për shkollën, dijen dhe dinjitetin.
“Ke lënë gjurmë në jetën e brezave të tërë, jo vetëm si mësimdhënëse, por si shembull i një gruaje që jetoi me ndershmëri, përkushtim dhe fisnikëri”, ka shkruar Vlora Çitaku në urimin e saj.
Në fund të mesazhit, ajo i uron nënës së saj shëndet, buzëqeshje dhe dashuri, duke e përshkruar si një grua me zemër të madhe dhe shpirt të pastër.
Profesoresha Sala Ahmeti ka lënë gjurmë në fushën e arsimit përmes përkushtimit të saj ndër vite, duke kontribuar në formimin dhe edukimin e shumë gjeneratave të nxënësve.
Mesazhi i plotë i Vlorës:
Urime ditëlindja, nanë. ❤️
Faleminderit që na rrite me çiltërsi, me zemër të bardhë dhe që na mësove ta duam të mirën, ta duam suksesin jo vetëm tonin, por edhe të tjetrit.
Faleminderit që, për dekada me radhë, frymëzove mijëra vajza anembanë Kosovës me dashurinë për shkollën, dijen dhe dinjitetin. Ke lënë gjurmë në jetën e brezave të tërë, jo vetëm si mësimdhënëse, por si shembull i një gruaje që jetoi me ndershmëri, përkushtim dhe fisnikëri.
Ti na mësove se respekti fitohet me punë. Se dija është pasuria që askush nuk ta merr.
Rilindase nga Drenica, me zemër të madhe e shpirt të pastër.
Të paçim gjithmonë me shëndet, buzëqeshje dhe dashuri. Gëzuar ditëlindjen! ❤️