Profesoresha nga Universiteti i Lund-it, Miranda Kajtazi bëhet pjesë edhe e personelit  akademik të UP-së

- Advertisement5 -

Në mbledhjen e Senatit, të mbajtur më 4 mars 2026, u miratua fillimi i profesoreshës së Universitetit suedez të Lund-it, prof. Miranda Kajtazi, edhe në Universitetin e Prishtinës.

- paragrafi 1 -

Miranda Kajtazi është profesoreshë e asociuar e Departamentit të Informatikës në Universitetin e Lund-it që nga viti 2015 (Associate professor, Department of Informatics, Lund University).

- Advertisement - M1

Doktoratën e ka përfunduar në Universitetin e Linnaeus-it në fushën e sistemeve informative me fokus në sigurinë e këtyre sistemeve. Gradën e masterit e fitoi në Universitetin Växjö për shkenca kompjuterike, ndërsa në fushën e njëjtë studimet themelore i kreu në Universitetin e Evropës Juglindore.

Profesoresha Kajtazi vetëm nga viti 2019 ka të publikuara 35 punime shkencore në revista prestigjioze ndërkombëtare të fushave të specializimit të saj. Hulumtimet shkencore të saj lidhen me sistemet kompjuterike, sigurinë kibernetike, privatësinë, etikën dhe integritetin e të dhënave dhe menaxhimit strategjik, shikuar nga një perspektivë globale.

Ajo është edhe anëtare bordi dhe e afiliuar në Shkollën Suedeze të Kërkimit për Menaxhment dhe IT (Swedish Research School of Management and IT), ndërsa ka ekspertizë dhe angazhim në fushat e barazisë gjinore, zvogëlimit të pabarazive, punës së mirë dhe zhvillimit ekonomik, ushqimit të shëndetshëm e mirëqenies dhe luftimit të varfërisë, që janë pesë nga 17 Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të përcaktura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

- Advertisement - m2

Profesoresha Miranda Kajtazi është ndër tre profesorët që i janë bashkuar edhe UP-së në mbledhjen e Senatit të muajit mars 2026, sipas Rregullores për transferim, programin Brain Gain dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme për rekrutimin e personelit akademik. Bashkë me të, senatorët kanë vendosur t’i afiliojnë me UP-në edhe profesorët e Universitetit të Stokholmit dhe Universitetit Queen Mary të Londrës, Isa Blumi dhe Venet Osmani.

Më herët me UP-në janë lidhur edhe profesori i Dublin City University, Gëzim Visoka, mjeku dhe profesori i Ohio State University, Dukagjin Blakaj, farmacisti dhe profesori në King’s College London, Driton Vllasaliu, profesori i Universitetit Virginia Tech, Besnik Pula dhe profesoresha nga Universiteti Monash i Australisë, prof. Zanfina Ademi-Delaney.

Angazhimi i profesoreshës Kajtazi në mësimdhënie dhe kërkim shkencor edhe në Universitetin e Prishtinës, me ekspertizën e saj në fushat e teknologjisë informative, bashkë edhe me kolegët e saj nga diaspora dhe profesorët tjerë, do t’i ndihmojë universitetit të jetë një universitet i shekullit në të cilin po jetojmë dhe zhvillimeve të hovshme të mjeteve të inteligjencës artificiale.