Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur të premten, më 20 shkurt 2026, vendosi njëzëri ta asociojë (adjunct) edhe me UP-në profesoreshën me renome e përvojë ndërkombëtare nga Universiteti Monash i Australisë, dr. Zanfina Ademi-Delaney.
Profesoresha e njohur me mbi 200 publikime në revista prestigjioze shëndetësore ndërkombëtare, drejton Grupin e Kërkimit për Ekonomi të Shëndetësisë dhe Vlerësim të Politikave (HEPER) në Fakultetin e Farmacisë dhe Shkencave Farmaceutike të Universitetit Monash (The Health Economics and Policy Evaluation Research (HEPER) Group, Faculty of Pharmacy and Pharmaceutical Sciences, Monash University).
Dr. Zanfina Ademi-Delaney është profesoresha më e cituar shqiptare në botë dhe njihet globalisht për punën e saj në ekonominë shëndetësore të parandalimit dhe menaxhimit të sëmundjeve (metodat e testimeve të ADN-së në masë për të parandaluar sëmundjet trashëguese) si dhe zhvillimit të matjeve inovative shëndetësore (për shembull, ndikimin që mund të ketë në aftësinë për punë të një individi ose popullsie një sëmundje ose gjendje e caktuar shëndetësore).
Profesoresha e Universitetit Monash të Australisë që do të lidhet edhe me UP-në, studimet themelore në fushën e farmacisë i kreu në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, ndërsa magjistroi në fushën e shëndetit publik dhe epidemiologjisë në Universitetin e lindjes së Finlandës (University of Eastern Finland). Zanfina Ademi-Delaney studimet e doktoratës në lëmin e ekonomisë shëndetësore dhe shëndetit publik i kreu në universitetin ku aktualisht punon.
Dr. Zanfina Ademi-Delaney që do të japë kontributin e saj akademik e shkencor edhe në Universitetin e Prishtinës, është profesoresha e parë me arritje të larta globale nga diaspora akademike që po asociohet në bazë të Rregullores për transferim, programin „Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025 nga Senati i UP-së.
Para saj me UP-në janë afiliuar edhe profesori i Dublin City University, Gëzim Visoka, mjeku dhe profesori i Ohio State University, Dukagjin Blakaj, farmacisti dhe profesori në King’s College London, Driton Vllasaliu dhe profesori i Universitetit Virginia Tech, Besnik Pula.
Dr. Zanfina Ademi-Delaney, që e ka vizion të kërkimeve të saj përmirësimin e shëndetit dhe zvogëlimin e pabarazive shoqërore, bashkë me personelin akademik të universitetit do t’i ndihmojnë UP-së për t’u transformuar më lehtë në një institucion të kohës në të cilën jetojmë.