- Advertisement1-
Ja si janë përgjigjur mësuesit shqiptarë
Referuar një teme dite, mësuesit janë shprehur se pse kanë zgjedhur të bëhen mësues, nga pasioni apo për arsye të tjera. Iluminimi me dije i brezave mbart një mision fisnik në vetvete. Komentet më të shumta, varionin në theksimin e këtij argumenti, duke treguar kënaqësinë e punës në mësimdhënie.
Mësuesit janë shprehur kështu:
“Pasioni, dashuria dhe përkushtimi për të dituruar breza e breza, të jep kënaqësi të veçantë…” – F.P
“Mësuesja e klasës së parë ishte e jashtëzakonshme. Unë doja të isha si ajo.” – M.V
“E kam patur pasion që fëmijë dhe e realizova këtë dëshirë, ku punova me dëshirë dhe përkushtim për 36 vjet radhazi…” – M.A
“Dashuria për fëmijët, pasioni dhe dëshira për të punuar me ta më shtyjnë të zgjidhja këtë profesion!” – E.G
“Nuk e kam zgjedhur vetë. Atë degë më dhanë. Mbetet shumë i veçantë si profesion, por duhet fokus më i madh tek mësuesia për një cilësi e nivel shumë më të lartë.” – T.XH.A
“Ka qenë ëndrra ime që kur isha 5 vjeçe.” – N.K
Arsyet e zgjedhjet së profesionit të mësuesisë mund të bëhen edhe për shkaqe të tjera.
Disa mësues kanë shprehur pikëpamjet e tyre personale:
“Pa dëshirën time, pasi para ’90-tës, ne nxënësve të shkollës së Muzikës-Shkodër, kush nuk fitonte konkursin në Tiranë, nuk na lejohej asnjë degë tjetër, përveçse Cikli i Ulët.” – M.Q
“Atë më dha Komiteti Ekzekutiv, atëherë kështu ishte… të jepte qeveria vendore të drejtë studimi…” – M.K
“ … kur fillova në mësuesi, e fillova si profesion, por, duke kaluar koha kuptova që na është dhënë si Mision i shenjtë.. ti transmetojmë brezave pasardhës vlerat më të mira shoqërore…”- E.LL
Sa rekomandohet profesioni i mësuesisë në vendin tonë?
Në Shqipëri, tregu i punës favorizon disa profesione të nevojshme, të drejtpërdrejta me nevojat e shoqërisë, duke nisur nga mjekësia, drejtësia, inxhinieria, dhe pedagogjia. Tregu i punës ngushtohet dhe zgjerohet sipas kërkesave të tregut. Në rastin e pedagogjisë, profesioni kulmon në preferencën më të lartë. Sugjerimet janë pozitive për shkak të bukurisë së profesionit, por edhe për pagesat apo qëndrueshmërinë. Nisur nga komentet e mësuesve në portalin shkollorë, vihen re se disa nga preferencat e profesionit të mësuesisë janë si shkak i influencave të shoqërisë, duke e promovuar mësuesinë për një sërë arsyesh ekonomike dhe sociale.
Pse roli i mësuesit mbart një peshë jetike tek nxënësit?
Pedagogjia është shkencë me funksione teorik dhe praktik. Në këtë aktivitet kemi transferimin e përvojave shoqërore dhe zhvillimin e personalitetit të nxënësve. Roli i mësuesit korrespondon me atë të një dizenjuesi, pasi shikon situatat ku nxënësit ndodhen, zhvillimin, karakterin e tyre, pengesat dhe ecurinë.
Kush është një mësues i suksesshëm?
Një mësues i suksesshëm është një profesionist në menaxhimin e kurrikulave dhe programeve të reja mësimore, një mentor i duruar dhe vëzhgues i mirë ndaj çdo zgjidhjeve të përshtatshme. Mësuesi ndikon në rritjen dhe ndërtimin e individëve, si figura kryesore në jetën e nxënësve. Mësuesi i suksesshëm është njohës i rendimentit nga stresi i punës, duke gjetur forma praktike në kapërcimin e tij. Pavarësisht zgjedhjes së mësuesisë si profesion, rëndësi ka të qenit korrekt dhe profesionist në misionin e të qenit mësues.
“ Detyra e mësuesit nuk është të flasë, por të përgatisë dhe organizojë një sërë motivesh për veprimtari kulturore në një mjedis të veçantë të krijuar për fëmijën”. – Dr. Maria Montessori.
Komentet e mësuesve janë marrë nga faqja e Facebook-ut e Portalit Shkollor