Profesori i matematikës, prof. dr. asoc. Musa Ajeti nga Presheva, është renditur në mesin e shkencëtarëve më të mirë në universitetin publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ku ligjëron lëndën e matematikës dhe disiplinat që ndërlidhen me këtë shkencë.
Sipas renditjes shkencore ndërkombëtare, prof. Ajeti është përfshirë gjithashtu në listën e 1000 shkencëtarëve më të mirë në nivel global, një arritje e rëndësishme që dëshmon kontributin dhe punën e tij të vazhdueshme në fushën e shkencës.

Gjatë karrierës së tij profesionale, prof. Musa Ajeti ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, si edhe në disa universitete publike dhe private në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Kosovës.
Ky sukses përbën një krenari të veçantë jo vetëm për institucionet ku ai vepron, por edhe për Preshevën dhe mbarë trevat shqiptare.