Sistemi arsimor dhe mësuesit sot po përballen me një realitet gjithnjë e më të vështirë. Problemet pedagogjike, psikologjike dhe sociale në shkolla po rriten, ndërsa autoriteti i shkollës dhe dinjiteti i mësuesit janë zbehur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Ky është një problem serioz që po e cenon drejtpërdrejt cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënit.
Në shumë shkolla, sjelljet problematike të nxënësve po bëhen normë, jo përjashtim. Mungesa e disiplinës, respektit dhe përgjegjësisë po e pamundëson zhvillimin normal të procesit mësimor. Në raste jo të rralla, mësuesit fyhen, injorohen, përçmohen apo edhe shantazhohen nga nxënësit, duke e dëmtuar rëndë autoritetin profesional dhe klimën shkollore.
Ndërkohë, në praktikë nga mësuesit pritet që të kryejnë edhe role që nuk janë pjesë e mandatit të tyre ligjor, si këshillim psikologjik, ndërhyrje sociale apo menaxhim i situatave të vështira. Ky zgjerim joformal i rolit të mësuesit, pa mbështetje institucionale dhe profesionale, e tejngarkon atë dhe e zhvendos fokusin nga misioni kryesor: mësimdhënia dhe edukimi.
Shkolla është institucion edukativo-arsimor. Ajo nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në qendër rehabilitimi për probleme të thella psikologjike dhe sociale. Trajtimi i këtyre problematikave kërkon një qasje të koordinuar ndërmjet familjes, shërbimeve sociale, institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve komunale e qendrore. Përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi mësuesin dhe shkollën.
Rikthimi i kredibilitetit të shkollës dhe dinjitetit të mësuesit është parakusht për arsim cilësor. Mësuesi duhet të mbrohet institucionalisht, të respektohet profesionalisht dhe të përkrahet në çdo rast kur cenohet integriteti i tij. Pa autoritet të mësuesit, nuk ka disiplinë; pa disiplinë, nuk ka mësim; dhe pa mësim cilësor, nuk ka zhvillim shoqëror.
Vetëm me një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet shkollës, familjes dhe institucioneve relevante, shkolla mund ta ruajë rolin e saj si institucioni qendror i edukimit dhe të nxënit dhe si faktor kyç në formimin e qytetarëve kompetentë dhe të përgjegjshëm.
Respekti dhe mbështetja për mësuesin janë parakushtet për një mjedis mësimor efektiv, ku nxënësit zhvillohen plotësisht dhe mësojnë të përballojnë sfidat e shoqërisë moderne.
Arsimi zhvillohet vetëm në një mjedis të sigurt, me respekt dhe pa dhunë.