Raporti i Performancës së Komunave për vitin 2024 i publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka treguar se Komuna e Prizrenit në fushën e arsimit parauniversitar ka arritur rezultate më të mira të përmbushjes së treguesve në krahasim me komunat tjera të mëdha të Kosovës.
Në renditjen e përgjithshme, Prizreni është renditur i dyti me 86.35% të përmbushjes së treguesve, duke pasur para vetes vetëm komunën e Junikut me një përqindje tejet të vogël, 86.92%, shkruan AlbanianEducation.net.
Prizreni në këtë vlerësim, prapa vetes ka lënë komunat e mëdha, si Pejën, Gjilanin, Mitrovicën, Prishtinën, Gjakovën e Ferizajn.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj Gutaj ka theksuar se ky dikaster ka shënuar rritjeme vitet paraprake, për çka ka falënderuar të gjithë zyrtarët nga Drejtoria e Arsimit, Udhëheqësit e shkollave, koordinatorët e mësimdhënësit.
Drejtoresha Veselaj Gutaj ka thënë se do të vazhdojnë edhe me më shumë suksese e rezultate konkrete për ngritjen e cilësisë në arsimin e komunës të Prizrenit.
Postimi i saj i plotë në Facebook:
Nga ato lajme që ta mbushin zemrën 😍
🗣️Barometri i përformancës nga MAPL i publikuar me rezultatet e arsimit në komuna për vitin 2024, PRIZRENI shënon ngritje të krahasueshme me vitet paraprake👌🤝
Rezultat shumë domethënës i një përpjekjeje të gjithanshme, i cili shënon nivelin e ri ku është ngjitur arsimi në Komunën e Prizrenit po ashtu tregon realizimin e objektivave tona zhvillimore🙏
Pa dyshim që vetëm puna ekipore dhe profesionale është premisë dhe siguri për rezultate të mira si këto të fundit. Andaj për këtë sukses fillimisht falenderoj të gjithë zyrtarët e përgjegjshëm nga Drejtoria e Arsimit, Udhëheqësit e shkollave, koordinatorët, mësimdhënësit dhe të gjithë ata që me punën e tyre të dinjitetshme e profesionale u bënë indikator e katalizator të këtij ndryshimi pozitiv brenda tri viteve.
Do të vazhdojmë edhe me më shumë suksese e rezultate konkrete për ngritjen e cilësisë në arsimin e komunës tonë sepse gjithnjë ka vend e hapësirë për ma shumë e ma mirë!👌💪