Prindërit ankohen se nxënësit e suksesshëm në mësime shpesh bullizohen nga bashkëmoshatarët e tyre. Sipas tyre dhe njohësve të shëndetit mendor, përdorimi i performancës akademike si mjet për bullizim dëmton vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve.
Performanca e lartë akademike nuk shihet gjithmonë si vlerë. Sipas prindërve, disa nxënës që tregojnë rezultate të mira bullizohen e përballen me ndjenja pasigurie dhe ulje të vetëbesimit nga atakimet verbale të bashkëmoshatarëve të tyre.
Mejreme Ymeri, nënkryetare në Këshillin e Prindërve të Prishtinës, tha se këto raste nuk raportohen mjaftueshëm.
“Arsyeja pse kjo nuk theksohet aq shumë është që këta fëmijë pritet që të menaxhojnë mirë këto raste dhe kryesisht të menaxhojnë në familje sesa të bëhet diçka më e madhe të kërkohet ndihmë profesionale… Mendoj që kjo është njëjtë serioze sikur bullizimi që ndodh fatkeqësisht kohëve të fundit gati në baza të përditshme të fëmijëve me performanca të ndryshme akademike”, ka thënë Ymeri.
E problemi nuk mbetet i kufizuar vetëm në ambientet shkollore. Sipas Ymerit, rrjetet sociale përdoren gjithnjë e më shumë si mjet për të vazhduar talljen.
“Zhvillimi i mediave sociale, përveç përparësive që na ka sjellë, ka sjellë edhe vështirësitë, për arsye se fëmijët po hyjnë në grupe të ndryshme dhe po krijojnë averzione ndaj njëri-tjetrit në formatin që fëmijët po i sjellin problemet nga rruga në shkollë”, ka shtuar ajo.
Psikologia Adela Bajrami thekson se përdorimi i performancës akademike si mjet bullizimi shkakton pasoja psikologjike të rënda për të dyja palët.
“Përveç që ndikon te bullizuesi, ndikon edhe te viktima, ndikon në ndjenja të pasigurisë, ankthit, vetëbesim të ulët, vetëvlerësim të ulët, humbje të motivit dhe kur bie ky motiv, bie edhe performanca akademike, bien rezultatet te nota, mundet me ndryshua edhe sjellja, fëmijët munden me u izolua edhe prej shoqërisë dhe prej aktiviteteve që u kanë pëlqyer më herët”, ka thënë Bajrami.
Mësimdhënësja në shkollën “Dardania” në Prishtinë, Elena Stublla, u shpreh se këto sjellje shpesh lidhen me problemet familjare dhe mungesën e përkujdesjes prindërore.
“Secila klasë përballet me bullizim, zakonisht vije nga nxënësit që vijnë nga familjarët nuk merren me ta, nuk ka rregulla në familje, ose i lazdrojnë më shumë se që duhet. Kjo po ndikon edhe në klasat tona, pasi të njëjtit vijnë dhe shprehin xhelozi ose urrejtje ndaj njëri-tjetrit”, është shprehur Stublla.
Pavarësisht përhapjes së këtij fenomeni, institucionet arsimore ende nuk kanë një akt nënligjor unik për parandalimin e bullizimit. Çdo komunë ndjek plane të ndryshme të veprimit, duke organizuar aktivitete për identifikimin dhe trajtimin e rasteve. /KOHA.net