Brenda gjashtë ditëve të para nga hapja e sistemit për aplikim për subvencionim, përmes platformës e-Kosova, janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime.
Por jo të gjithë prindërit po kanë mundësi të përfitojnë për të gjithë fëmijët e tyre për subvencionimin e librave.
Disa prind që kanë fëmijë binjakë i kanë komentuar ministres në detyrë Arbërie Nagavci duke i shprehur shqetësimin se kanë pranuar pagesa vetëm për njërin fëmijë e jo për të dytë, shkruan AlbanianEducation.net.
Në komente të drejtuara Nagavcit, prindërit raportojnë raste të diskriminimit, veçanërisht në familjet me binjakë.
Një nënë ka rrëfyer se edhe pse ka binjakë, vetëm njëri prej tyre ka përfituar nga subvencioni për libra, ndërsa tjetri jo.
Ajo thotë se e ka raportuar këtë problem disa herë, por nuk ka marrë zgjidhje. Sipas saj, raste të tilla kanë ndodhur edhe me qindra fëmijë të tjerë, për të cilët është dashur të udhëtojë deri në Prishtinë për të kërkuar zgjidhje, por pa rezultat.
Një koment tjetër e mbështet këtë pohim, duke theksuar se e njëjta situatë i ka ndodhur edhe disa të njohurve të saj, ku vetëm njëri nga binjakët ka marrë librat e subvencionuar.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara