Vetëm nëse kompenzohen orët e humbura nga greva e mësimdhënësit, këta të fundit duhet të marrin pagën e muajit shtator, i ka thënë Radio Evropës së Lirë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë një interviste në Pragë për Radion Evropa e Lirë, presidentja e Kosovës përmendi edhe përfitimet e Kosovës nga Bashkësia Politike Evropiane, një platformë për koordinim politik e zyrtarizuar në Pragë më 6 tetor.
Osmani tregoi se pse ende nuk është duke u formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke shtuar se ajo e “mbështet çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Ndër tjerash ajo foli për dialogun me Serbinë.
Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Osmani tha se është “optimiste e kujdesshme”.
Ndërkaq, sa i përket moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, Osmani theksoi se ai vendim bazohet “në vendime diskriminuese të kohës së Millosheviqit” dhe shtoi se Kosova duhet të jetë “e kujdesshme për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë”./REL