(Alban Hajrushi: “Rruga e kthimit dhe tregime të tjera”, Armagedoni, Prishtinë, 2026)
Krijuesi i ri Alban Hajrushi, te vëllimi me tregime “Rruga e Kthimit dhe tregime të tjera” dallohet për dy prirje: me prirjen për ndjeshmëri lirike, ku proza afrohet me poezinë, si dhe me shpalosjen tematike të borës intime, të brendshme, të përshkuar nga vetmia, kujtesa, mungesa, malli, dhimbja dhe kërkimi i vazhdueshëm për dritë shpirtërore. Kësisoj, edhe struktura e librit me tregimet e shtjelluara si “Gruaja e shëmtuar”, “Nata e vetmisë”, “Kujtime në korridor”, “Në pritje”, “Borë” dhe “Rruga e kthimit”, na dëfton se autori shkon drejt asaj tendence e synimi që ta kundrojë njeriun në çastet e tij më intime, aty ku të shprehurit bëhet më shumë gjendje shpirtërore se sa ngjarje.
- Struktura tematike
Një nga veçoritë kryesore të këtij vëllimi është prania e fortë e temës së vetmisë. Në tregimin ‘Nata e vetmisë’, vetmia paraqitet si gjendje sociale dhe si hapësirë reflektimi, një vend ku njeriu takohet me veten dhe me kujtimet e tij. Edhe në tregime të tjera kjo vetmi merr forma të ndryshme: herë si mungesë e njeriut të dashur, herë si harresë kolektive, herë si zbrazëtirë që ndien brenda shpirtit. Procedimi i tillë artistik e bën librin të ketë një strukturë përafruese sentimentale.
Po aq e rëndësishme është tema e kujtesës. Në shumë prej tregimeve, kujtimi shfaqet si formë e mbajtjes gjallë të identitetit dhe si rikthim në të shkuarën. Në tregimin ‘Kujtime në korridor’, hapësira e jashtme shndërrohet në hapësirë shpirtërore; korridori shfaqet si vend ku bashkëjetojnë dashuria, mungesa dhe kujtimet që mbeten të pashlyera në njeri. Edhe tregimet tjera: “Fryma që rri në gurë”, “Borë” apo “Zemrat që presin”, mbështeten pikërisht mbi këtë ide: se njeriu jeton në të tashmen, në atë që ka humbur dhe vazhdon ta bartë brenda vetes. Nga ana tematike, autori i kushton vëmendje të veçantë botës intime dhe prek gjithashtu realitetin social. I tillë është tregimi “Gruaja e shëmtuar”, i thurur si tekst me peshë të dukshme etike e dhe sociale, i cili vë në pah paragjykimin, pamjen e jashtme, cektësinë dhe paaftësinë e shoqërisë që ta shohë njeriun përtej pamjes. Po kështu, edhe tregimi “Vrasjet” e zhvendos theksin nga individualja te drama kolektive, duke e shndërruar dhimbjen personale në një çështje morale për shoqërinë.
Në këtë pjesë të tregimit, autori kalon nga hapësira e ndjeshmërisë së qetë në tonin e akuzës së brendshme, duke kthyer dhimbjen personale në reflektim moral për shoqërinë.
Një tjetër shtresë e vëllimit është raporti me natyrën. Te ky autor, natyra shfaqet si gjuhë paralele e shpirtit dhe si dekor. Pranvera, bora, shiu, pylli, fusha, mali, era dhe hëna paraqiten si përfigurime letrare të gjendjeve të brendshme. Te tregimet “Heshtja”, “Gjysmë pranvere”, “Në hijen që s’është më” apo “Qielli sonte po qan”, përshkrimi i peizazhit ndërthuret me botën shpirtërore nga dhe merr vlerë metaforike. Kjo qasje e afron prozën e autorit me prozën poetike. Peizazhi bëhet jehonë e brendshme shpirtërore e njeriut.
- Nga rrëfimi te mendimi: midis vetmisë, pritjes dhe kujtesës
Tashmë Albani e kupton se tregimi duhet të karakterizohet nga përqendrimi në një ide kryesore, me një numër të kufizuar personazhesh dhe me zhvillim të shpejtë të ngjarjes. Kësisoj vepron te tregimi “Gruaja e shëmtuar” është thurë si përsiatje mbi mënyrën si shoqëria ndërton dhe imponon standarde të jashtme, duke e humbur esencën e njeriut. Që në fillim, autorit i mjafton një imazh i vetëm për të ndërtuar një gjykim kolektiv: “Të gjithë ata që kalonin pranë saj e shikonin me përçmim.” jo fjali përshkruan njëkohësisht një personazh dhe një mendësi. Gruaja, përveçse na është qenie individuale; ajo shndërrohet në simbol të gjithçkaje që shoqëria e ka të vështirë ta pranojë. Ajo përjashtohet sepse nuk përputhet me “imazhet e përsosura” të shoqërisë. Tregimi rrëzon këtë perceptim duke zbuluar një të vërtetë të heshtur: Ose fraza: “Çdo rrudhë në fytyrën e saj ishte një kujtim i fshehtë…”, ku rrudha, që zakonisht shihet si shenjë plakjeje apo “shëmtie”, këtu kthehet në dëshmi jete. Autori e zhvendos bukurinë nga jashtë në brendësi, duke e bërë përvojën njerëzore kriterin e vërtetë të vlerësimit. “Nga qyteti…” si tregim, ndërtohet mbi simbolikën e një qyteti të braktisur, që përfaqëson një botë të humbur shpirtërore. Që në fillim krijohet ajo atmosferë sa e zymtë po aq edhe metaforike: “Qyteti shfaqej i mbështjellë në një mjegull të hollë.” Arbëri, si personazh, personifikon kërkimin dhe shpresën. Në fund, tregimi merr dimension kolektiv: “Qyteti… nisi të merrte frymë përsëri.” Që na dëfton se rilindja aq sa është individuale, është edhe e përbashkët. Ndërsa tregimi “Nata e vetmisë” është tekst introspektiv, ku vetmia, ndryshe nga motivet e mungesës së diçkaje në jetë, paraqitet si gjendje reflektimi. Që në fillim krijohet një kontrast i fortë: “Të gjithë kanë fjetur… E unë… unë kam mbetur i vetëm.” Ky izolim e veçon narratorin nga bota, duke e futur në një dialog me veten. Vetmia këtu është transformuese, ndryshe nga konceptimi i saj si vetmi negative: “Është një vetmi që të lejon të mendosh, të ndiesh më thellë.” Vetmia nuk e zbraz njeriun, përkundrazi, e pasuron.),
Tregimet tjera, si “Vrasjet” (ku shfaqet një klithmë morale përballë banalizimit të dhunës dhe ku dhimbja individuale shndërrohet në plagë kolektive), apo “Gjallëria e fshatit” (ku fara është simbol i vazhdimësisë dhe besimit në të ardhmen, kure figura e plakut përfaqëson urtësinë dhe përvojën), apo tregimi “Heshtja” (si meditim mbi paqen dhe unitetin me natyrën shndërruar në gjuhë shpirtërore, kurse premtimi është rilindja, paqja dhe vazhdimësia); janë tregime që fokusohen në ide, ku përqendrimi krijues i shmanget ngjarjes apo personazheve për t’u fokusuar te mesazhi dhe mendimi që dëshiron ta përcjellë autori. Në këto tipa të tregimit, ngjarjet janë më të thjeshta dhe shërbejnë vetëm si hapësirë për ta shprehur një ide të caktuar.
Kështu ndodh edhe te tregimi “Zemrat që presin”, ku thuret një nga portretizimet më të prekshme të pritjes prindërore. A ka të bëjë pritja me kohë apo si tematizimi autorial i pritjes për mënyrën e ekzistencës? “Nëna çdo mëngjes… fshinte dritaren, si për t’u treguar fëmijëve se i priste.” Thotë narratori, për ta paraqitur një gjest të thjeshtë që shndërrohet në ritual shprese. Figura e babait e thellon këtë përmasë narrative e përshkruese. Dashuria e saj është pa kushte, madje edhe përballë mungesës: “Prindërit nuk dorëzohen.”
Ndërkaq në tregimet “Në hijen që s’është më”, Qielli sonte po qan”, “Hija që s’u kthye”, “Uji i kripur dhe ëmbëlsia e jetës”, “Në pritje”, “Në anën tjetër të rrugës” apo . “Sekreti i ditarit të vjetër”, thuret një elegji për shkatërrimin e natyrës, ku një botë po e humb vetveten (te i pari) dhe ku pylli personifikohet si trup i gjallë; apo kur drama njerëzore zhvillohet në gji të natyrës (te i dyti); apo ku ndodhin pyetje pa përgjigje, që e mbajnn tekstin pezull (te i treti). Në poetizimet autoriale, qielli bëhet reflektim i dhimbjes, ku shtëpia dhe njeriu bashkohen në dhimbje zbulohet indiferenca kolektive; shtjellohet një kritikë ndaj harresës së më të dobëtëve: disa largime nuk kanë kthim, por mbeten si hije… kurse dashuria ekziston edhe pa kthim. Autori e pranon realitetin: “Jo gjithçka është e ëmbël në jetë.” Thurja e tillë e bën tekstin refleksiv dhe realist.
Tregimi “Rruga e kthimit”, si tekst, mbi të cilin titullohet edhe libri, ka rëndësi tëveçantë, sepse përmbledh një nga motivet më të rëndësishme të librit: rikthimin. Kthimi këtu nuk është vetëm fizik, drejt shtëpisë, familjes apo vendlindjes, por sidomos shpirtëror, drejt rrënjëve, kujtimeve dhe vetvetes. Kthimi në këtë kontekst, merr karakter fizik, drejt shtëpisë, familjes apo vendlindjes, dhe njëkohësisht karakter shpirtëror, drejt rrënjëve, kujtimeve dhe vetvetes. Ky motiv i përshkon edhe tregime të tjera, drejtpërdrejt apo tërthorazi, dhe e bën librin të lexohet si kërkim i vazhdueshëm për strehë emocionale.
Vlera e tij kryesore qëndron te prirja për ta kthyer përjetimin e thjeshtë në figurë letrare dhe për ta ngarkuar prozën me një ton poetik, të qetë, të pikëlluar dhe njerëzor. Është një libër që prek me dridhjet e vogla të shpirtit dhe shmang tronditjen përmes ngjarjeve të mëdha. Së këndejmi, ky vëllim lexohet si një prozë e afërt me poezinë, ku artikulimi tekstual bëhet strehë e kujtimit, e dhimbjes dhe e shpresës. Te proza “Plaku” ka një përjetim të bukur për jetën e thjeshtë dhe dinjitetin e moshës. Plaku shfaqet si sintezë jete: “Në to fshihej një jetë e tërë: dhimbje, kujtime, dashuri dhe durim.” Te ai, puna dhe jeta bëhen një. Vdekja, ndryshe nga ndarjet, paraqitet si vazhdimësi në natyrë dhe kujtimin e saj të mirëfilltë.
Dualizmi njerëzor mendje dhe ndjenjë, paraqitet te tregimi “Gjysmat që flenë”. Dy figurat përfaqësojnë këtë dualizëm: “Njëri… dinte të ëndërronte… tjetra… dinte të ndiente.” Njeriu është i paplotë kur është i ndarë. Momenti kryesor është bashkimi: “Fjala e parë… ‘kujto’. E dyta: ‘fali’. E treta: ‘bashko’.” Këto tri fjalë janë idetë e tregimit. Mesazhi është kuptimplote: plotësia vjen nga uniteti i brendshëm.
Nëse tregimi “Vajza pa emër” ndërtohet mbi një figurë enigmatike, ku vajza pa emër bëhet shprehen përsiatje mbi rikthimin si proces emocional dhe shpirtëror. Rruga në kuptimin e saj të drejtpërdrejtë është vetëm hyrje në një kthim më të thellë: “Bora kishte mbuluar rrugët… drejt shtëpisë.” Bora shënjon kohën që ka kaluar, por edhe pastërtinë e rikthimit. Shtëpia si vend, është kujtesë: “Çdo send dukej i mbushur me nostalgji.” Figura e prindërve përfaqëson qëndresën: “Sa shpejt kalojnë vitet…” Koha është e pashmangshme, por lidhja mbetet. Tregimi kulmon me përjetimin etik e emiocional: “Ky është mësimi më i bukur që kam marrë nga ju.” Kësisoj, ky tregim bëhet një homazh për familjen dhe sakrificën. Ideja qendrore sintetizohet qartë: “Rruga e kthimit… rikthimi në kujtimet, dashurinë dhe ngrohtësinë.” Pra, kthimi fizik, bëhet rikthim te rrënjët, te dashuria dhe te vetja.
- Minimalizmi narrativ
Këto proza karakterizohen nga ndjeshmëria lirike, ku rrëfimi s’ka ngjarje, por përjetim të brendshëm. Në të vërtetë, ato janë më shumë meditime se tregime klasike, ku fabula zbehet për t’i lënë vend reflektimit mbi jetën, kohën dhe kujtesën. Prozat dallohen edhe për minimalizmin narrativ dhe intensitetin emocional. Personazhet janë të paktë, të shumtën anonimë ose të përgjithësuar (plaku, vajza pa emër, ai, ajo). Përqasja e tillë i bën këta të jenë protagonistë të përgjithshëm dhe lehtësisht të identifikueshëm. Identiteti individual zbehet për t’i hapur rrugë një përvoje më të gjerë njerëzore.
Minimalizmi narrativ është një procedim letrar që karakterizohet nga thjeshtësia dhe përdorimi i pak fjalëve për të shprehur shumë kuptime. Në këtë formë tregimi, autori shmang përshkrimet e gjata dhe detajet e tepërta, duke u fokusuar vetëm në elementet thelbësore të ngjarjes. Dialogët janë të shkurtër, ndërsa përshkrimet lihen të nënkuptuara. Lexuesi luan një rol aktiv, sepse duhet t’i interpretojë vetë emocionet, situatat dhe mesazhin që fshihet pas shprehjeve artistike. Në minimalizmin narrativ, rëndësi ka nënteksti, ajo që nuk thuhet, po aq sa ajo që thuhet. Detajet e vogla marrin kuptim të madh dhe krijojnë një ndikim të fortë emocional.
Një tjetër veçori është tema e vetmisë dhe pritjes, ku personazhet jetojnë mes kujtimit dhe zbrazëtisë, mes asaj që ka qenë dhe asaj që nuk kthehet më. Megjithatë, kjo vetmi sado që duket si tragjedi, ajo trajtohet si një gjendje e qetë, e pranuar, pothuajse filozofike. Pra, kemi të bëjmë me një prozë që nuk kërkon të tregojë histori, por të ndalë kohën dhe të bëjë lexuesin të ndiejë.
Në tregime vërejmë mungesën e zhvillimit narrativ. Shumë tregime nuk ndërtojnë një konflikt të qartë apo zhvillim dramatik. Ato mbeten më shumë në rrafshin e reflektimit, çka mund t’i bëjë të duken statike, pa dinamizëm rrëfimor dhe pa konflikte artistike. Temat si mungesa, pritja, kujtesa dhe melankolia përsëriten shpesh. Kjo krijon një ndjesi uniformizmi, ku tregimet, ndonëse të bukura, fillojnë të ngjajnë mes tyre. Kjo qasje i bën më shumë figura ideje sesa individë konkretë. Tregimet përfundojnë me fjali reflektuese të drejtpërdrejta (p.sh. për jetën, kohën, dashurinë), që e shpjegojnë mesazhin, në vend që ta lënë të nënkuptohet. Kjo e ul fuqinë artistike në disa raste. Stili meditativ është i qëndrueshëm, por në disa tregime perceptohet si i njëtrajtshëm, pa kulme të forta emocionale apo kthesa të papritura. Edhe pse e bukur, përdorimi i vazhdueshëm i natyrës (borë, vjeshtë, rrugë, pemë) si simbole mund të bëhet i parashikueshëm dhe e humb efektin e freskisë. Në disa momente, ndjenja është e drejtpërdrejtë dhe e shprehur hapur, që e afron tekstin me sentimentalizëm më shumë se sa me thellim artistik me nëntekstin e kërkuar.
Këto proza: janë në kufi mes tregimit shumë të shkurtër dhe prozës poetike, por më afër kësaj të fundit. Edhe pse janë të shkurtra, ato nuk ndërtohen mbi një ngjarje të fortë apo kthesë (intriga e tregimit), nuk kanë gjithmonë strukturë klasike tregimi (fillim–konflikt–zgjidhje). Së këndejmi, përafrohen me prozat poetike, meqë veçohen me gjuhën figurative dhe ritmin e ngadalshëm, me dominim e ndjenjës mbi ngjarjen etj. Pra, janë proza poetike me elemente narrative minimale, ndryshe nga tregimi që kërkon fabulën (rrjedhën e ngjarjeve), personazhet, kohën dhe hapësirën, si dhe këndvështrimin e rrëfimit. Nëse në tregimin klasik, fabula (rrjedha e ngjarjeve) është e qartë: fillim, zhvillim, kulm dhe përfundim, në tregimin modern, kjo strukturë zbutet, fragmentohet ose zhvendoset: fabula është e reduktuar (ndodh shumë pak në nivel ngjarjesh), ajo bëhet e brendshme (zhvillohet në mendimet dhe ndjenjat e personazhit ose edhe e nënkuptuar, më shumë e sugjeruar sesa e treguar drejtpërdrejt. Ndërkaq, këto proza i mënjanojnë edhe këto kërkesa. Në tregimin klasik, fabula (rrjedha e ngjarjeve) është e qartë: fillim, zhvillim, kulm dhe përfundim. Ndërsa në tregimin modern, kjo strukturë shpesh zbutet, fragmentohet ose zhvendoset. E, pra, tregimet e A. Hajrushit e mënjanojnë edhe këto kërkesa qoftë ajo fabul simbolike apo minimale. Së këndejmi, më shumë janë proza poetike.
- Kur gjuha poetike tejkalon fabulën:
imazhi zë vendin e rrëfimit
Në rrafshin e diskursit stilistik, vëllimi veçohet për gjuhë figurative, të qetë dhe melankolike. Shprehje të tilla si qielli që qan, pylli që rënkon, kujtimet që ecin në korridor, apo heshtja që ka frymë, e dëshmojnë prirjen e autorit për ta poetizuar rrëfimin. Kjo anë përbën vlerat e këtij vëllimi, meqë i jep prozës ngrohtësi, muzikalitet dhe atmosferë. Në jo pak tekste lexuesit mbetet në mendje situatat emocionale dhe pak ose aspak ato fabulative.
Le t themi, se, pikërisht kjo prirje lirike, është edhe pika ku libri mund të vështrohet me sy më kritik. Në disa tregime, subjekti zbehet përballë përshkrimit emocional, kështu që teksti rrëshqet nga tregimi klasik drejt miniaturës meditative ose skicës poetike. Kjo qasje krijuese e bën vëllimin më pak të mbështetur në zhvillimin e konfliktit, të karakterit dhe të ngjarjes dramatike. Pra, tipari mbizotërues i autorit qëndron te përjetimi, atmosfera dhe imazhi, se sa te ndërtimi i ndërlikuar narrativ. Kjo shihet sidomos në disa tekste shumë të shkurtra, ku ideja dhe përgjërimi janë më të theksuara sesa veprimi.
Edhe personazhet, në shumicën e rasteve, nuk ndërtohen si figura me biografi të gjerë, por si bartës të gjendjeve shpirtërore. Këta personazhe janë simbole të pritjes, humbjes, mallit, durimit, besimit ose rikthimit.
Prill 2026