E enjte, 30 Janar, 2025

Pranvera Laçi, mësuesja që themeloi shkollën shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool

- Advertisement1-

Pranvera Laci është një grua frymëzuese, e cila ka dhënë një kontribut sa modest aq edhe të jashtëzakonshëm për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Me një formim profesional në mësuesi dhe një pasion të thellë për kulturën dhe traditat shqiptare, ajo ka vendosur një gur themeli në komunitetin shqiptar të Liverpool-it duke themeluar shkollën shqipe “Pjetër Budi”.

Si nënë e tre vajzave dhe një emigrante që jeton në Liverpool prej vitit 2011, Pranvera e ka përjetuar nga afër sfidën e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës në një mjedis të huaj. Puna e saj si mësuese në Shqipëri dhe eksperiencat vullnetare në shkollat angleze kanë qenë frymëzim për të krijuar një platformë ku fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën amtare dhe të forcojnë lidhjen me rrënjët e tyre.

- Advertisement -

Në këtë intervistë, për Diaspora Shqiptare  ajo rrëfen frymëzimin pas hapjes së shkollës shqipe, emocionet e ditës së parë të hapjes, sfidat e përditshme dhe arritjet e deritanishme, si dhe rëndësinë që ka kjo nismë për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare tek brezat e rinj. Mesazhi i saj për prindërit shqiptarë është një thirrje për të vepruar dhe për të kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë sonë kombëtare.

Çfarë ju frymëzoi apo nxiti të hapni shkollën shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool?

Ideja për të hapur shkollën shqipe ‘Pjetër Budi’ në Liverpool më lindi nga dëshira për të mbajtur gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare te fëmijët tanë, që po rriten larg atdheut. Duke jetuar prej më shumë se një dekade ne Liverpool shqetësimi im si prind, por edhe si mësuese në profesion ishte që fëmijët tanë po humbisnin lidhjen me identitetin e tyre shqiptar.
Kjo më dha shtysën për të krijuar një vend ku ata mund të mësojnë shqipen dhe të ndihen krenarë për origjinën e tyre.

Gjithashtu, e shoh këtë shkollë si një mundësi për të bashkuar komunitetin shqiptar në Liverpool dhe për të forcuar identitetin tonë të përbashkët.

Pjetër Budi, si një nga figurat e para që punoi për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë, ishte frymëzim i shkëlqyer për emrin e shkollës. Jam e bindur se përmes kësaj iniciative mund të ndihmojmë fëmijët të ndihen më të lidhur me trashëgiminë e tyre dhe të kontribuojmë në ruajtjen e saj për të ardhmen

Si e përjetuat ditën e pare te hapjes me 1 qershor 2024?

- Advertisement -rrrrrrr

Dita e parë e hapjes së shkollës shqipe ‘Pjetër Budi’, më 1 qershor 2024, ishte një moment shumë emocionues dhe i paharrueshëm për mua, për fëmijët dhe për të gjithë komunitetin. Nuk kishte mënyrë më të bukur për ta nisur këtë udhëtim sesa në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, një ditë që simbolizon gëzimin, shpresën dhe të ardhmen e tyre.

Kjo ishte një ditë që përfaqësonte një hap të rëndësishëm jo vetëm për shkollën, por për të gjithë komunitetin shqiptar këtu në Liverpool. Ishte kulmi i shumë muajve punë dhe përkushtimi për të krijuar një vend ku fëmijët mund të lidhen me rrënjët e tyre, të mësojnë gjuhën dhe historinë e tyre dhe të ndihen krenarë për trashëgiminë e tyre.

Atmosfera në atë ditë ishte magjike – fëmijët ishin plot entuziazëm, prindërit mbështetës dhe të emocionuar, dhe të gjithë ne ndamë një ndjenjë krenarie dhe bashkimi. Për mua, ishte një moment që më dha energji dhe motivim për të vazhduar këtë mision, sepse pashë se sa i rëndësishëm është ky projekt për komunitetin tonë.

Si ndikon shkolla shqipe në ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor tek fëmijët shqiptarë në Liverpool?

Shkolla shqipe ‘Pjetër Budi’ ka një ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor te fëmijët shqiptarë në Liverpool. Duke qenë se jetojmë larg Atdheut , fëmijët shpesh janë të rrethuar nga kultura dhe gjuhë të ndryshme, dhe mund të humbasin lidhjen me rrënjët e tyre. Kjo shkollë ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të pasur një lidhje të drejtpërdrejtë me gjuhën, historinë dhe traditat shqiptare, duke i ndihmuar ata të kuptojnë dhe vlerësojnë më shumë origjinën e tyre.

Përmes mësimeve të gjuhës shqipe, fëmijët jo vetëm që mësojnë të komunikojnë me prindërit dhe të afërmit e tyre, por gjithashtu forcojnë një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre, që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës. Mësimi i historisë dhe kulturës shqiptare, përmes aktiviteteve si vallëzimi tradicional, arti dhe craft, krijon një ndjenjë të fortë komuniteti dhe krenarie për trashëgiminë.
Si edhe forcon lidhjen me komunitetin.

Si e financuat këtë iniciativë dhe cili ka qenë roli i komunitetit në mbështetje?

Kjo iniciativë është e gjitha një përpjekje personale dhe e familjes sime, pa pasur asnjë interes vetjak nga ana ime. Qëllimi ka qenë gjithmonë që të ofrojmë një mundësi për fëmijët shqiptarë në Liverpool, që ata të mund të mësojnë gjuhën dhe traditat e tyre dhe të ruajnë lidhjen me identitetin e tyre kulturor. Për këtë arsye, shkolla është financuar kryesisht me kursimet tona familjare, dhe çdo hap ka kërkuar përkushtim dhe mund nga të gjithë ne.

Suporti i bashkëshortit ka qenë i jashtëzakonshëm, ai ka ndihmuar jo vetëm financiarisht, por edhe në organizimin e aktiviteteve dhe menaxhimin e logjistikës së shkollës. Për më tepër, prindërit e fëmijëve kanë kontribuar rregullisht nga data 21 shtator 2024 duke mbështetur shkollën përmes tarifave të sesioneve dhe duke ofruar ndihmë praktike, duke u angazhuar në organizimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve të ndryshme.

Për sa i përket mbështetjes nga shteti shqiptar, e vetmja ndihmë që kemi marrë ka qenë dhurimi i librave nga Ambasada Shqiptare, për të cilën jemi mirënjohës.

Gjithashtu i jemi drejtuar për ndihmë edhe Liverpool City Council por që duhen ndjekur disa procedura të cilat marrin kohë të konsiderueshme.
Pra nuk kemi pasur asnjë kontribut tjetër financiar.

Megjithatë, kjo shkollë është fryt i një angazhimi të thellë personal dhe të një bashkëpunimi të fortë me komunitetin, i cili ka treguar se, edhe në kushte të vështira, është e mundur të ruajmë dhe promovojmë kulturën tonë.

Mund të na tregoni diçka më shumë rreth aktiviteteve që keni organizuar deri tani?

Tri ngjarje të paharrueshme kanë shënuar këtë udhëtim të shkollës shqipe ‘Pjetër Budi’ në Liverpool, secila me rëndësinë dhe emocionin e vet.

Eventi i parë, më 1 qershor 2024, ishte një moment mbresëlënës për të gjithë komunitetin shqiptar. Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ne mblodhëm bashkë fëmijët, prindërit dhe anëtarët e komunitetit shqiptar, me një synim të përbashkët: të mbajmë gjallë kulturën dhe gjuhën shqipe. Ky moment ishte një deklaratë e fuqishme se ne, edhe pse jetojmë larg atdheut, jemi të vendosur të ruajmë dhe të promovojmë identitetin tonë.

Eventi i dytë, hapja zyrtare e shkollës, më 7 shtator 2024, ishte një ditë historike për ne. Në këtë ngjarje na nderuan me pjesëmarrjen Kryetari i Bashkisë së Liverpool-it z. Richard Kemp, Ambasadori i Shqipërisë z. Uran Ferizi dhe personalitete të tjera shqiptare dhe të huaja, një ndihmesë e madhe për forcimin e lidhjeve me institucionet zyrtare. Ishte hera e parë që institucionet zyrtare i kushtuan vëmendje kërkesave dhe nevojave të komunitetit shqiptar, një moment i madh krenarie dhe realizimi.

Eventi i tretë, festimi për herë të parë të Pavarësisë së Shqipërisë në Liverpool, ishte një ngjarje që na mbushi me emocion. Koncerti i fëmijëve që na ofruan ishte një dhuratë e paçmuar. Ky moment na shpërbleu për të gjitha mundimet dhe sakrificat, dhe na tregoi sa shumë ata dëshirojnë të mësojnë shqip dhe të lidhin zemrat e tyre me atdhenë. Është një kujtim i paharrueshëm që do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona, dhe që na dha shtysë të vazhdojmë këtë mision për brezat e ardhshëm.

Çfarë interesimi kanë treguar prindërit dhe fëmijët për të mësuar gjuhën shqipe? A mendoni se ka pasur një rritje të vetëdijes gjatë kohës qe shkolla ka qene aktive?

Prindërit kanë treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj misionit tonë për mësimin e gjuhës shqipe. Ata janë aktivisht të përfshirë në aktivitete dhe gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë, duke bërë sakrifica të mëdha për t’i sjellë fëmijët e tyre në shkollë çdo të shtunë. Disa familje udhëtojnë nga zona të largëta si North Wales apo Chester, duke dëshmuar rëndësinë që i japin ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare. Prindërit janë të vetëdijshëm për vështirësitë tona financiare dhe japin kontributin e tyre për seancat mësimore rregullisht, duke treguar mbështetje të vazhdueshme për qëndrueshmërinë e shkolles.

Fëmijët ndjekin mësimet rregullisht dhe shfaqin një interes të veçantë gjatë orëve të mësimit, duke qenë gjithmonë të vëmendshëm dhe entuziastë. Shpesh, prindërit na tregojnë se fëmijët mezi presin të vijë e shtuna për të marrë pjesë në mësime. Përveç kësaj, ata kanë krijuar miqësi të forta me njëri-tjetrin dhe shpesh kërkojnë të takohen edhe jashtë orarit të shkollës, duke forcuar kështu lidhjet brenda komunitetit tonë. Kjo tregon që vetëm në pak muaj mësim në kemi dhënë prova të vogla të suksesit tonë.

Na tregoni me shumë për procesin mësimor: Ku zhvillohet mësimi, sa herë në javë, dhe sa nxënës aktualisht ndjekin shkollën? Si është strukturuar programi mësimor dhe si siguroheni që fëmijët ta përvetësojnë gjuhën shqipe në mënyre efektive?

Shkolla Shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool zhvillon mësimin çdo të shtunë nga ora 13:00 deri në 15:00, në adresën
Speke Training & Education Centre
Kati i parë
Speke Boulevard
L249HZ

Aktualisht, shkollën e frekuentojnë 20 fëmijë. Klasa është e ndarë në dy grupe:
Grupi i parë 5-8 vjeç
Grupi i dytë 9-15 vjeç.

Mësimi planifikohet duke u bazuar në librin e Abetares për të vegjëlit dhe në paketën e librit “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” niveli 1, si edhe duke ju përshtatur nevojave dhe kërkesave të fëmijëve. Për momentin plani mësimor hartohet nga unë dhe mësuese Shkurte Xhafa.

Ne takohemi çdo javë dhe diskutojmë metodologjinë e mësimdhënies, hartojmë planin mësimor duke ju përshtatur moshës dhe nivelit, bëjmë kërkimet tona didaktike, përgatisim vetë materialet që i ndihmojnë fëmijët të përvetësojnë gjuhën në mënyrë vizuale siç janë posterat, flash cards dhe fletët e punëve individuale.
Një mënyre tjetër e cila ndihmon fëmijët në përvetësimi e gjuhës janë edhe aktivitete që organizojmë.

Këto aktivitete janë të rëndësishme për fëmijet sepse përmes tyre ata mësojnë traditat, gjuhën dhe historinë në një mënyrë të gjallë dhe argëtuese. Shprehin veten përmes recitimeve, këngëve dhe valleve. Fitojnë vetëbesim, bashkëpunojnë në grup, krijojnë kujtime të këndëshme.
E gjithë kjo kërkon mund dhe kohë por qëllimi i këtij misioni i superon vështirësite edhe pse punojmë me kohë të plotë për të plotësuar nevojat e familjeve tona përsëri e gjejmë kohën për t’ju kushtuar shkollës shqipe.

Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që keni hasur gjate këtij udhëtimi?

Sfidat e këtij rrugëtimi kane qenë të panumërta duke filluar nga ndërgjegjësimi i prindërve shqiptarë për rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare dhe inkurajimi i tyre për të sjellë fëmijët në shkollë. Ky proces kërkoi kohë dhe përpjekje për të ndërtuar besimin dhe për të treguar vlerën e kësaj iniciative.

Siç e përmenda më sipër nisma për hapjen e shkollës ishte një iniciativë personale, e financuar nga kursimet familjare.
Dua ta theksoj se ky mision nuk ka për qëllim interesat e mia vetjake apo për të bërë emër, por është për fëmijët tanë për të ardhmen tone.

Për gjashtë javët e para, ne siguruam ambientin e klasës, blerjen e librave, fletoreve të punës dhe materialeve të tjera mësimore me shpenzimet tona personale.
Në shtator Ambasada e Shqipërisë na dhuroi 30 paketa me libra Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare të dërguara nga Qendra e Botimeve për Diasporën: 20 paketa niveli i pare dhe 10 paketa niveli i dyte. Përveç librave bazë, ka pasur nevojë për materiale shtesë si libra leximi, fletore pune, materiale printimi etj, me ndihmën e prindërve ne arritëm të plotësojmë disa nga nevojat mësimore dhe pjesa e mbetur është plotësuar nga unë.

Me 11 Janar 2025 ne patëm mbledhjen e parë me prindër për mbylljen e semestrit të parë, ku diskutuam rreth arritjeve të fëmijëve, mundësitë për tu zgjeruar të cilën e kemi prioritet në vazhdimësi, kontributet e tyre, diskutuam rreth eventit për pavarsinë e Kosovës që do të mbahet me datë 15 shkurt si dhe shpenzimet e deritanishme.

Ata janë të ndërgjegjshëm që shpenzimet janë më të mëdha se te ardhurat.

Ne jemi me fat që bashkëpunojmë me prindër të cilët ndajnë të njëjtin mision me ne, janë të gatshëm të na ndihmojnë me çdo kërkesë që kemi dhe ashtu si ne edhe ata kërkojnë që ti bashkohen edhe familjarë të tjerë këtij rrugëtimi. Dëshiroj ti falenderoj për besimin që na kanë dhënë nga dita e pare dhe na motivojnë për të punuar akoma më shumë.

Stafi ynë përbehet nga 4 veta: unë, Shkurte Xhafa, Edlira Bunga dhe Arjola Fera.

Gjej rastin ti falenderoj këto 3 zonja të nderuara të cilat kane dhëne kontributin e tyre nga dita e parë e deri me sot.

Jam krenare që bashkëpunoj me to, uroj dhe shpresoj që ky bashkëpunim të jetë sa më jetëgjatë dhe frytdhënës.

Për momentin vetëm njëra mësuese merr një shpërblim simbolik qe kurrsesi nuk e justifikon mundin, por është një mase vlerësimi moral për punën që bën, pjesa tjetër përfshire edhe veten punon në baza vullnetare, pa asnjë shpërblim financiar. Kjo ka qenë një sfidë me vete, pasi kërkon përkushtim dhe sakrificë nga ana e mësuesve dhe organizatorëve.

Pavarësisht këtyre sfidave, përkushtimi ynë dhe mbështetja e komunitetit kanë qene pika kyçe në vazhdimin e misionit tonë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare tek brezat e rinj.

Çfarë mesazhi do t’u përcillnit prindërve shqiptare qe hezitojnë të angazhohen në ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët e tyre?

Me ka rastisur te dëgjoj shpesh here prindër që thonë: “Gjuhën shqipe jua mësoj vetë fëmijëve, nuk kam pse ti sjell ne shkollën shqipe.” Apo “ Fëmija im flet shqip nuk ka nevojë për të ardhur në shkollën shqipe”

Ajo që dua t’ju përcjell prindërve është se mësimi i gjuhës shqipe është më shumë se kaq! Ruajtja e gjuhës shqipe është një detyrë e rëndësishme që na takon të gjithëve.

Është mundësia që fëmijët tuaj të lidhen me identitetin dhe kulturën tonë, të njohin historinë dhe traditat që i bëjnë të veçantë. Angazhimi juaj në këtë rrugëtim është një dhuratë që do t’u mbetet për gjithë jetën. Pavarësisht distancës, ata do të ndjehen më të lidhur me Shqipërinë dhe me komunitetin shqiptar, duke e folur gjuhën e tyre. Mos lejoni që fëmijët tuaj të rriten pa njohur gjuhën e tyre amtare. Çdo sakrificë që bëni për t’i sjellë ata në shkollë është një mundësi që ata do ta shijojnë gjatë gjithë jetës. Mësimi i shqipes i ndihmon ata të jenë të plotë, të lidhur me të kaluarën dhe të kenë një të ardhme më të begatë!

Shkolla jonë është më shumë se një mundësi për fëmijët tanë; është një mision i shenjtë për të ruajtur dhe shpërndarë pasuritë tona kulturore dhe gjuhësore. Po ju bëj thirrje që, edhe pse fëmijët tuaj janë tashmë të rritur, mund të bëni një ndryshim të madh duke kontribuar në forcimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për të ardhmen e tyre dhe të kombit tonë.

Bashkë me ju, mund të krijojmë një komunitet të fortë dhe të bashkuar, ku çdo kontribut — qoftë financiar, material apo ide — është një investim në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Kjo është një thirrje për bizneset shqiptare që veprojnë në Liverpool dhe zonat përreth, për shoqatat dhe organizatat që përfaqësojnë komunitetin tonë, si dhe për Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Sot kemi nevoje për ndihmë më shumë kurrë…..

Marrë te diasporashqiptare.al

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Hapet shkolla shqipe “ILIRIA” në Walthamstow të Londrës

Është hapur shkolla shqipe "ILIRIA" në Walthamstow, Londër. Në hapjen e saj ka marrë...

Hapet shkolla e parë shqipe në Manchester të Anglisë

Muaji nëntor i këtij viti ishte mjaft i suksesshëm për shqiptarët e Anglisë, pasi...

Kërkohet ndihmë për nxënësit në Shkollën Shqipe në Gjenevë

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Gjenevë ka kërkuar ndihmë për...

Hapet shkolla shqipe në komunën Saxon të Zvicrës

Hapja e shkollave shqipe Hapja e shkollave shqipe në Zvicër tani më është bërë kryefjalë...