Po vazhdojnë sukseset e gjeneratave të reja në vendet e ndryshme evropiane, pas diplomimeve ne univeristet e njohura evropiane, mastereve edhe doktoraturave, prej sot kosovarja Pranvera Berisha ka mbrojtur me sukses disertacionin e Doktoraturës në një fushë shumë interesante “Hulumtim inovativ në gjenetikë dhe inteligjencë artificiale”.
Pranvera Berisha ka përfunduar me sukses studimet e doktoratës në Shkencat Natyrore në Universitetin BOKU, në Institutin e Gjenetikës dhe Bioteknologjisë në Austri, duke kurorëzuar një rrugëtim të gjatë akademik të ndërtuar mbi përkushtimin, punën dhe këmbënguljen.
Rruga e saj akademike është e veçantë. Ajo ka përfunduar Fakultetin Juridik dhe studimet master, ndërsa paralelisht ka përfunduar edhe Fakultetin e Agronomisë me studimet master. Falë rezultateve të shkëlqyera dhe angazhimit të vazhdueshëm, u pranua në studimet e doktoratës në Universitetin BOKU, ku gjatë viteve të studimit mori pjesë në një sërë hulumtimesh dhe projektesh shkencore.

Tema e doktoratës së saj u fokusua në përdorimin e gjenetikës, inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave për të përshpejtuar krijimin e varieteteve të reja të grurit me rendiment më të lartë dhe rezistencë më të mirë ndaj sëmundjeve.
Ky hulumtim paraqet një kontribut të rëndësishëm në fushën e gjenetikës bimore dhe përfaqëson një qasje bashkëkohore që kombinon shkencën, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale për të mbështetur zhvillimin e një bujqësie më produktive dhe më të qëndrueshme.
Doktorimi i Pranvera Berishës përbën një arritje të rëndësishme akademike dhe një shembull frymëzues për brezat e rinj, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj dijes dhe kërkimit shkencor shpërblehet me rezultate të nivelit më të lartë ndërkombëtar.
Një ndër ata që e uruan doktoreshën e sapo promovuar është edhe daja i saj doktori i shkencave Mexhit Musa, ku ndër tjera uron mbesën Dr. Sc. Pranvera Berisha për këtë sukses të merituar dhe shumë suksese në rrugëtimin e mëtejmë shkencor e profesional.
/Marrë nga Mitrovicatoppress