Kosova Republikë
Në shkëmbinj të lashtë
u gdhend emri yt,
me gjak,
me lot,
me vuajtje.
Tokë që s’u përkul,
kur dhimbja u bë ligj
dhe hije mbi pragje shtëpish.
Kosovë,
ti s’je vetëm një kufi në hartë.
Je
betim në buzë,
zë në heshtje,
frymë që ringjallet pas çdo rënieje.
Në agun e thyer të historisë
u zgjove si plagë që flet.
Të lanë lumenjtë e gjakut dhe lotit,
të rriti forca me rrënjë në shekuj
që s’u këputën nga asnjë stuhi.
Kosovë,
emri yt është psalm
në gojë të përjetësisë,
është diell
që nuk kërkon leje
për të rilindur.
Republikë, s’të shpalli askush:
u shpalle
se qëndrove e pagjunjëzuar,
ndonëse e copëzuar.
Dhe sot rreh në ty
një zemër e lashtë,
që e di
se liria nuk kërkohet,
por fitohet.
Ti nuk erdhe
me protokoll
as me fjalime të bukura.
Erdhe
me këmbë e duar të dërrmuara,
me gjunjë të gjakosura
dhe shpinë të kërrusur.
Nga hiri u ringrite
moj Kosova ime!
Trupi yt është hartë dhimbjeje,
shpirtin e ke flamur me lavdi.
Kosovë,
emri që u skalit në çdo zemër,
që s’u shkruajt kurrë në thonjëza,
fjala që s’u mbyll kurrë në kllapa,
pika në fund të një fjalie
që u shkrua me shkronja dhimbjeje,
me kuptim të madh lirie.
O vendlindja e shqiponjave!
Ti ecën kryelartë
jo se është e lehtë,
por të dorëzohesh
nuk e ke në deje.
Kosova Republikë,
emër dhe tokë e shenjtë,
liri që do të rrojë përjetë,
se me gjak u pagua shtrenjtë.
Adem Jashari – zëri i lirisë
Në zemër të Prekazit, ku gjaku i shqipes flet,
Një trim u ngrit për të mbrojtur vendin e vet.
Adem Jashari, ky emër që u skalit në gur,
U gdhend në zemrat e brezave e në flamur.
Një zjarr që me rrufe goditi padrejtësinë,
Flakë që s’u shua se zemra i rrahu për lirinë.
Nuk luftoi për famë, as për kurorë me ar,
Derdhi gjakun për atdhe, për flamurin kosovar.
Mbetet frymëzim i përjetshëm, simbol lavdie,
U ngrit legjendë mbi vdekjen, shkroi kapitull historie.
Kudo ku ka zemra shpiponje që rrahin për liri,
Rri i pathyeshëm, i përjetshëm, kujtimi i tij.
Sot me zërin e Ademit flasin malet përqark,
Fushat këndojnë himnin që mbolli me gjak.
Heronjtë nderohen në gjithë botën mbarë,
Ne krenohemi me ta se janë bij shqipëtarë.