E hënë, 25 Nëntor, 2024

Poetja Vlora Kozhani nderohet me çmimin tradicional letrar “Adem Demaçi”

- Advertisement1-

“Ora e Lirisë” mbahet më 5 mars – Ditën e Dëshmorëve të Kombit.

Me çmimin tradicional letrar “Adem Demaçi” u nderua poetesha Vlora Kozhani.

- Advertisement -

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës mbajti akademinë letrare-artistike “Ora e Lirisë”, që vazhdimisht në forma të ndryshme ka shënuar luftën heroike të kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse tashmë në kuadër të Ditës së Dëshmorëve të Kombit dhe të “Epopesë së UÇK-së” përvjet organizohet në fillimin e luftës së lavdishme të kësaj Ushtrie, më 5 mars.

Krijimet e tyre poetike i lexuan rreth pesëdhjetë poetë, kurse me çmimin tradicional letrar “Adem Demaçi” u nderua poezia NË AGIMET E LASHTA e Vlora Kozhanit.

Në shenjë nderimi e respekti për luftëtarin e lirisë, Agron Haradinaj dhe dëshmorët e kombit, shkrimtarët mbajtën një minutë heshtje! Aktivitetin me pika muzikore artistike e shoqëroi artistja Alba Basha.

Nga fjala e hapjes e kryetarit të LSHK-së, Prof. dr. Shyqri Galica:

…Është ky viti i gjashtë që Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës po e organizon akademinë letrare-artistike “Ora e Lirisë” në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të komandantit legjendar Adem Jashari.
Kjo datë shënon dhe fillimin e luftës së UÇK-së dhe të heroizmave të shumtë të atyre që ranë në altarin e lirisë.

- Advertisement -rrrrrrr

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës vazhdimisht shënon në forma të ndryshme luftën e popullit tonë për liri e bashkim kombëtar, veprimtarinë atdhetare të personaliteteve kombëtare dhe heroizmin e shumë prej tyre që nuk kanë kursyer për Atdhe më të shtrenjtën e tyre – jetën!

Rruga e lavdishme e me shumë sakrifica po vazhdon edhe sot në rrethana të ndryshme, por, për fat të keq, nuk po bëhen përpjekje të mjaftueshme që të nderohen e të respektohen ata që nuk kursyen veten dhe familjet e tyre, që përjetuan tragjedi e sakrifica të papara. Por populli dhe artistët nuk do t’i harrojnë përjetë krijuesit e lirisë, të cilët do të jenë frymëzim i përhershëm për mbrojtje të Atdheut dhe për krijime artistike e për ngritje të ndërgjegjes dhe të dashurisë së veçantë për ta. Jeta jonë pa këtë dashuri do të ishte boshe, sepse edhe e ardhmja po merr ngjyrë tjetër, ngjyrën e lirisë, për ta ndërtuar Atdheun e për ta ngritur kulturën kombëtare në nivel më të lartë.

Veprat tona përditë paraqesin botën sublime të krijuesve të lirisë, të dëshmorëve e të luftëtarëve të gjallë, veprat e të cilëve janë skalitur me heroizmin dhe dashurinë e paepur për Atdheun dhe Lirinë. Prandaj ata do të nderohen e do të respektohen me dashurinë më të madhe që mund të artikulohet për ta dhe me mallin e pashuar që mbetet si një amanet që do të kujtohet e do të nderohet përjetë.

Por sot pa të drejtë prijës të Luftës së UÇK-së e luftëtarë të dalluar janë mbyllur në kazamatet e Hagës dhe po dënohen e po gjykohen për ta diskredituar luftën e shenjtë të popullit tonë! Megjithatë, do të vijë çasti kur këta veteranë si dhe të tjerë që qenë mbajtur me vite aty, të dalin faqebardhë me gjithë ato akuza të shpifura nga ish-pushtuesit serbë.
Lufta pushtuese aktuale e Rusisë ndaj Ukrainës bëri një vit që nuk po ndalet, po sjell konflikte të reja e rreziqe të mëdha, kështu që bota është vënë para sfidave barbare ruse, që në një mënyrë janë vazhdimësi e pushtuesve serbë në trojet tona. Por shpresojmë se qëndresa e Ukrainës dhe heroizmi i këtij populli do t’ia dalin ndaj këtij pushtuesi barbar, i cili nuk përfill asnjë të drejtë të njeriut vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e tij pushtuese.

Ndërkaq, Baca ynë i madh, “Nderi i kombit”, Adem Demaçi, deri në çastet e fundit nuk u ndal për kauzën e shenjtë të Atdheut, kurse në luftën e UÇK-së u gjend në ballë të saj duke dëshmuar se kishte lindur për të luftuar për lirinë e këtij vendi me gjithë forcën e tij prometeike. Prandaj, kemi kënaqësinë që në këtë akademi të japim çmimin letrar “Adem Demaçi” për poezinë që do ta veçojë juria letrare dhe kështu ta nderojmë edhe figurën e jashtëzakonshme të kombit tonë, që në fakt deri sot nuk e hasim të tillë te asnjë popull tjetër.

Sivjet do të bëjmë përpjekje ta zgjerojmë veprimtarinë tonë edhe me debate rreth aspekteve të ndryshme letrare, shoqërore e politike, çështje të cilat nuk do të duhej të shiheshin nga shkrimtarët në mënyrë pasive, duke qenë pjesë e ekzistencës sonë.

Kryesia ka marrë vendim që të gjithë konkurruesit që janë paraqitur në “Orën e Lirisë” me punimet e tyre, t’i deklamojnë ato, kurse juria të ketë mundësi t’i ndjekë drejtpërdrejt dhe ta vlerësojë njërën nga këto poezi me çmimin letrar tradicional “Adem Demaçi”.
Në rast nevoje do të bëjmë dhe një pushim ndërkohë për të vazhduar më pas me deklamime të tjera sipas radhës.

Duke ju falënderuar sinqerisht për interesimin tuaj që të merrni pjesë në këtë veprimtari, ju urojmë sukses dhe vepra të reja në punën tuaj krijuese.
Pas pak orësh do të varroset njëri nga aktivistët e rrallë dhe luftëtarët e veçantë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Haradinaj, si dhe për nder të dëshmorëve të Atdheut, ju lutemi t’i nderojmë me një minutë heshtje! LAVDI!

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

10 mënyra për t’i kryer detyrat tuaja të shtëpisë më shpejt

Detyrat e shtëpisë mund të jenë të bezdisshme dhe të marrin shumë kohë, ndërsa...

Nxënësja Elmedina Dajaku i kushton këngë heroit Halil Geci në përvjetorin e rënies së tij

Në një akt të ndjerë përkujtimi, nxënësja Elmedina Dajaku ka interpretuar një këngë të...

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Luisi djali 14-vjeçar i cili mbeti i plagosur nga ngjarja e rëndë të ndodhur...

Kolektivi i shkollës “Jorgji Dilo” nga Elbasani viziton shkollën “Asdreni” në Pejë

Shkolla "Asdreni" në Pejë ka njoftuar se kanë pasur për vizitën kolektivin e shkollës...