Ministria e Arsimit në Shqipëri ka reaguar pas transmetimit të një materiali investigativ në emisionin Stop, ku evidentohet një rast i sjelljes së papërshtatshme nga një mësuese e arsimit fillor në shkollën “Isa Boletini”.
Përmes një deklarate publike, ministrja Mirela Kumbaro thekson se çdo veprim që cenon sigurinë, mirëqenien dhe dinjitetin e nxënësve është i papranueshëm dhe dënohet në mënyrë të prerë nga institucionet arsimore.
Menjëherë pas publikimit të rastit, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Tiranë ka ngritur një grup pune për trajtimin e plotë të situatës. Ky grup ka zhvilluar takime me drejtuesit e shkollës, psikologët dhe prindërit e nxënësve të përfshirë, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe mbrojtjen e interesit të fëmijëve.
Sipas vendimit të datës 6 maj 2026, mësuesja në fjalë është pezulluar menjëherë nga detyra dhe i është ndaluar hyrja në ambientet e shkollës deri në përfundimin e procedurave administrative dhe institucionale. Paralelisht, drejtoria e shkollës pritet të bëjë kallëzim në organet kompetente, ndërsa autoritetet do t’i kërkojnë zyrtarisht emisionit “Stop” të gjitha materialet filmike për verifikim të plotë të rastit.
Ministria e Arsimit nënvizon se figura e mësuesit mbetet themel i edukimit dhe çdo devijim nga etika profesionale apo normat njerëzore nuk mund të tolerohet në sistemin arsimor. Njëkohësisht, vlerësohet roli i medias në evidentimin e rasteve të tilla, duke e konsideruar atë një partner të rëndësishëm në garantimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe edukues.
Institucioni garanton se mbetet i angazhuar për të siguruar kushte të sigurta për nxënësit dhe për të mbrojtur integritetin e mijëra mësuesve që ushtrojnë profesionin me përkushtim. Ndërkohë, grupi i punës vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave, ndërsa në përfundim të procesit pritet hartimi i një raporti zyrtar mbi përgjegjësitë institucionale.