Petrit Halilaj nga Kosova fiton çmimin “Nasher” për Skulpturë në Dallas

- Advertisement -

Artisti i njohur kosovar Petrit Halilaj është shpallur laureat i Çmimit Nasher 2027, një nga çmimet më prestigjioze në botën e artit bashkëkohor, duke u vlerësuar për mënyrën se si në veprat e tij ndërthur kujtesën personale, lirinë dhe përvojën e zhvendosjes.

- paragrafi 1 -

Çmimi, i cili jepet nga Nasher Sculpture Center në Dallas, përfshin shpërblimin prej 100 mijë dollarësh si dhe mundësinë për të zhvilluar programe publike me këtë institucion, ka raportuar “New York Times”.

- Advertisement -

Në një reagim pas shpalljes, Halilaj tha se paratë e çmimit do t’i dhurojë për fondacionin e tij “Hajde!”, i cili po punon për rindërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Kosovë, e shkatërruar gjatë luftës.

“Jam i obsesionuar me hapjen e saj, dhe ky çmim do të sjellë një garanci më shumë”, u shpreh ai, duke parashikuar që qendra e artit të rihapet brenda dy viteve të ardhshme.

Halilaj, i cili në moshën 12-vjeçare u detyrua të largohej nga shtëpia gjatë luftës së Kosovës pasi forcat serbe dogjën fshatin e tij, e nisi rrugën drejt artit falë këshillës së një psikologu në kampin e refugjatëve në Shqipëri. Sot, më shumë se dy dekada më vonë, ai është bërë një emër i madh në skenën ndërkombëtare të skulpturës dhe artit konceptual, me ekspozita të suksesshme në Metropolitan Museum of Art në Nju Jork dhe Hamburger Bahnhof në Berlin.

- Advertisement -

Lajmi për çmimin i erdhi Halilajt në një periudhë të vështirë këtë verë, kur ishte në Kosovë për shfaqjen e operës “Syrigana”, e kompozuar nga Lugh O’Neill dhe Nina Guo dhe e porositur nga Filarmonia e Kosovës. Vetëm pak ditë para premierës, rekuizitat e shfaqjes u dogjën dhe mbi to u shkrua fjala “Kill”, por Halilaj arriti që opera të mos ndalej. “Ngjarje të tilla kulturore nuk janë lajm i mirë për ata që duan të mbeten në urrejtje dhe konflikt”, tha ai.

Drejtori i Nasher Sculpture Center, Carlos Basualdo, e cilësoi artin e Halilajt të jashtëzakonshëm për mesazhin e tij universal.

“Vepra e tij është veçanërisht domethënëse sot, si për angazhimin e thellë me njerëzoren e përvojës së jetuar, ashtu edhe për mënyrën se si krijon hapësira takimi që tejkalojnë kufijtë artistikë, kulturorë dhe gjeografikë”, u shpreh ai.

Ky çmim e konfirmon Halilajn si një prej zërave më të fuqishëm të artit bashkëkohor evropian dhe botëror. /Klankosova