Matematikë, fizikë, kimi, biologji, histori dhe gjeografi janë lëndët të cilat po përballen me mungesë kuadri në shkolla të caktuara fillore dhe të mesme.
Drejtorët që kontaktuam thanë për Alsat se në raste të caktuara nxënësit kanë ngelur disa javë rresht pa mësim për shkak se vështirë mund të gjendet zëvendësim. Për momentin, shkolla fillore “Liria” në Shkup nuk përballet me këtë problematikë. Por, drejtoresha Teuta Idrizi tha se motivimi i nxënësve duhet nisur që nga arsimi fillor.
“Kur të arrijnë klasat e teta dhe të nënta veç më me këto punë merren kujdestarët e klasave dhe shërbimi profesional në momentin kur bëhet orientimi profesional I nxënësve edhe orientimi I tyre në regjistrimin në shkolla të mesme duke nisur nga ajo se çka kërkohet në tregun e punësmë shumë. Kuptohet duke marrë parasysh edhe interesat, motivimi, shkathtësitë që kanë nxënësit për ato lëndë”, tha Teuta Idrizi, drejtore e sh.f “Liria”.
Mësuesi i fizikës në pension Sali Haskaj kujton se për 3 vjet kishte vazhduar marrëdhënien e punës për shkak të mungesës së kuadrit. Sipas tij, reformat e gabuara në arsim kanë shkatërruar dhe zbehur vullnetin e nxënësve për lëndët që tashmë po paraqiten deficitare.
“Që të jetë materiali i fizikës më interesant për nxënësit, duhet librat e fizikës definitivisht të hiqen prej përdorimit, të përpilohen nga autorë, kemi njerëz të aftë mjaft, të përpilohen lëndë të reja dhe që është kryesorja që të lindë dashuria te nxënësit për lëndën e fizikës definitivisht shkollat duhet të pajisen me mjete mësimore dhe me kabinetet e fizikës”, u shpreh Sali Haskaj, mësues në pension.
Ish ministrja e Arsimit, Milla Carovska kishte deklaruar se mungesa e kuadrit është si rezultat i mungesës së investimeve në fakultete të caktuara.
“Vlerësoj se Ministria e Arsimit por edhe të gjitha institucionet duhet që me kohë të planifikojnë kuadrin që do të jetë i nevojshëm, jo sot, por pas 10, 15, 20 ose 30 vjet sepse ato janë investime strategjike të cilat mundësojnë edhe më tej sistemin arsimor”, pohoi Mila Carovska, ish ministre e Arsimit.
Në përmbyllje të vitit 2021 edhe shkolla fillore “Liria” në fshatin Jabollçishtë të Komunës Çashkë të Velesit paraqiti nevojën për kuadër mësimor, qoftë në grupin klasor poashtu edhe në atë lëndor./Alsat