E premte, 20 Shtator, 2024

“Personi i Vitit 2022: Rrahman Jasharaj”

- Advertisement1-

Fillimisht e përbuzën. Pasi përbuzja s’kreu punë, e shanë me fjalët më të ndyra që mund t’i gjenin. Pasi sharjet s’kryen punë, shpifën se ishte me partitë opozitare. Pasi as kjo shpifje s’kreu punë, shpifën se ishte pjesë e një partie serbe. Pasi as kjo shpifje s’kreu punë, vetë kryeministri do ta bullizonte madje edhe për mënyrën e të folurit. E linçuan siç nuk ishte linçuar askush. E bënë me lotë, i dhanë dhimbje të mëdha. Por në fund, ai fitoi.

Bordi redaktorial i gazetës Nacionale u mblodh mbrëmë në mënyrë virtuale që të diskutonte për Personin e Vitit 2022. E para e punës, ai/ajo duhej të ishte tamam person e jo një vegël në duar personash tjerë. Pastaj, duhej të ishte dikush që i kishte shërbyer në një mënyrë specifike të mirës së përbashkët. Pa hile! E parafundit, duhej të ishte dikush që këtë shërbim publik s’e kishte kryer pa i hyrë ndonjë ‘therrë në këmbë’. Dhe e fundit, duhej të ishte dikush që kishte bërë bujë.

- Advertisement -

Duhet ta pranojmë se vendimi nuk ishte çështje sekondash e as minutash. Vendimi s’u mor menjëherë. Viti 2022 është dhe do të jetë i rëndësishëm për gazetën Nacionale. Është viti i lindjes së saj.

Pasi u përmendën disa emra dhe meritat e tyre, u mor vendimi përfundimtar që Personi i Vitit 2022 të shpallej kryesindikalisti Rrahman Jasharaj!

Pse?

Rrahman Jasharaj nuk ka qenë kurrë më i urryer dhe më i dashur në Kosovë, megjithëse aktiviteti i tij sindikal shtrihet në tri dekada. Arsimtari nga Dukagjini ka mbetur i lidhur me profesionin e tij, kolegët e punën e tij. Nuk është intoksikuar me frymën polarizuese politike në Kosovë. E prandaj, antagonizmi rreth tij dukej krejtësisht artificial e fals. Ai rezononte çiltërsi e autenticitet, dhe merrej vesh edhe nga mënyra se si thurte fjalitë që s’i merrte vesh lojërat e ndyra të politikës tonë ditore.

Jasharaj nuk kërkonte as dashuri e as urrejtje. Kërkonte pagë të dinjitetshme për punëtorët e arsimit në një kohë rritjesh të çmimeve që po varfëronte pamëshirë. S’e kërkonte asnjë cent më shumë për veten e tij. Po i kërkonte 100 euro më shumë për mësimdhënësit. Po i kërkonte deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Për të mos iu lodhur me detaje, duhet thënë se përplasja e tij me Albin Kurtin dhe vartësit e tij ishte kollaj e parashikueshme. Qysh në muajin maj ai e organizoi një protestë masive që e zuri në befasi pushtetin. Dhe meqë po e shihnim në horizont luftën mes tij e Kurtit, ne e ftuam në Podcast që të na tregonte më shumë për atë që po e priste.

- Advertisement -rrrrrrr

Kryeredaktori i Nacionales, Jetlir Buja, do të ishte i habitur me çiltërsinë e tij gjatë asaj bisede në muajin maj. Jasharaj sipas tij as që donte t’ia dinte se sa shumë mund t’i kushtonte lufta me Albin Kurtin nëse e shpallte Grevën e Përgjithshme. Për ta kuptuar më mirë afërsinë e Jasharajt me profesionin – por edhe vërtetësinë e kërkesave të tij – ai e kishte pyetur edhe për hendekun marramendës në paga mes mësimdhënësve parauniversitarë dhe profesorëve universitarë. Përgjigja e kryesindikalistit kishte qenë frymëzuese dhe e jashtëzakonshme.

Pastaj erdhi gushti. Rrahman Jasharaj kishte treguar rigorozitet të madh për të gjitha afatet. Dhe, paralajmëroi Grevën e Përgjithshme për ta lëshuar ‘ferrin’ në drejtim të tij.

Sulmet ndaj tij u bënë aq të egra e brutale, sa e gjitha prodhoi një lëmsh inkonsistent që duhej të prodhonte edhe ndonjë dorëheqje. Duke klikuar KËTU mund të lexoni gjithë ekspozimet e gënjeshtrave që i bëri Jasharaj, thjesht me shembullin e rezistencës së tij. Për asnjërën prej këtyre gënjeshtrave nuk pati të paktën kërkimfalje. Përveç njërës.

Elvis Hoxha do ta lidhte Jasharajn me një parti serbe.

“Ajo që është e dhimbshme, është pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë që ka për shef anëtarin e partisë serbe.” – kishte thënë ai, duke nxitur linçime të rrezikshme ndaj kryesindikalistit. Më vonë, ai do të pranonte se kishte shpërndarë lajm të rremë dhe do të kërkonte falje por dëmi do të bëhej.

Jasharaj zbuloi se nuk ishte mirë me shëndet, dhe madje në një reagim për gazetën Nacionale i shpëtuan edhe lotët. Bëhej fjalë për një patriot të madh që nuk mund ta shaje në atë formë.

“Le t’i mbetet në fytyrë atij të poshtri dhe le t’i mbetet pak në fytyrë edhe kryeministrit të Kosovës, që po lejon që njerëzit e tij të më godasin kështu sepse unë do ta përballoj dhimbjen, por fëmijët e mi që më kanë parë gjithmonë si figurë të ndritur, të mirë… s’kam çka të them më.” – ishte shprehur z. Jasharaj derisa e kishte shumë të vështirë t’i ndalte lotët.

100 eurot nuk do të ndaheshin për mësimdhënësit. Madje, këtyre të fundit – pasi u mor vesh që po e mbështesnin masivisht Rrahman Jasharajn – iu ndalën pagat për disa ditë nga pushteti në shenjë kërcënimi. Por, Jasharaj do të jepte një shembull të jashtëzakonshëm për secilin prej nesh, përmes të cilit do të merrnim mësime të jashtëzakonshme secili prej nesh: të drejtat e punëtorit mund të mbrohen vetëm nga punëtorët, çdo mbrojtje tjetër është falsifikim; ne mund të ekzistojmë edhe pa u mbështetur në liderë apo parti politike, ne kemi të drejta politike edhe nëse nuk jemi pjesë e partive politike; ne jemi më të rëndësishëm se profilet e rreme në rrjete sociale që kanë kontaminuar debatin publik; sindikalizmi ka shumë rëndësi. / NACIONALE /

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Bajram Abdiu”, në Bicaj të Kukësit e renovuar tërësisht – nxënësit do të mësojnë me kushte dinjitoze

Shkolla "Bajram Abdiu", në Bicaj të Kukësit, është renovuar komplet. Pamjet i ka ndarë...

Agim Baçi: Mësojuni fëmijëve se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një histori dhe përvojë më vete

A e dini se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një...

Ben Gavazaj, nxënësi nga Prizreni që la Amerikën dhe u kthye në Kosovë

Ben Gavazaj, është nxënës i klasës së katërt në shkollën "min Duraku në Prizren....

Ekspertët: Çfarë masash duhet të marrin shkollat që nxënësit të ushqehen patjetër me një vakt të marrë nga shtëpia?

Ekspertët e huaj ngrenë alarmin: Është shumë e rëndësishme që fëmijët të marrin vakt...