Gjirokastra është tronditur nga ngjarja tragjike që ndodhi pesë ditë më parë, ku një vajzë 17-vjeçare i dha fund jetës, duke lënë pas dhimbje dhe pyetje të paqarta për shkaqet që e çuan në këtë akt ekstrem.
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetime të thelluara dhe ka marrë në pyetje dhjetëra persona, përfshirë nxënës, mësues dhe punonjës të sistemit arsimor, si dhe familjarë dhe shoqe të vajzës, për të zbuluar rrethanat që çuan në këtë tragjedi.
Hetimet janë fokusuar në disa shënime të gjetura në një letër dhe një ditar të mbajtur në telefonin e saj, të cilat kanë ngritur dyshime për ndikimin e faktorëve të jashtëm në vendimin fatal të vajzës.
Një nga këto elemente është bullizmi dhe izolimi shoqëror që ajo mund të ketë përjetuar.
Në letër, vajza shprehte ndjenjën e dhimbjes dhe pyeste: “Pse më bullizojnë mua?”, duke i dhënë një sinjal të qartë se ky mund të ketë qenë një nga shkaqet që ndikuan në vendimin e saj tragjik.
Po ashtu, hetuesit po shqyrtojnë gjendjen e vështirë ekonomike të familjes, e cila ka përjetuar pasiguri financiare për shkak të papunësisë së babait të vajzës pas një aksidenti në punë. Ky faktor mund të ketë rënduar më tej gjendjen emocionale të vajzës.
Ky incident ka ringjallur një debat të gjerë mbi bullizmin në shkolla dhe mungesën e mbështetjes psikologjike për nxënësit.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e faktorëve të jashtëm që kanë kontribuar në tragjedinë e adoleshentes dhe përpjekjet për të vendosur përgjegjësitë e individëve dhe institucioneve që mund të kenë lidhje me këtë ngjarje të rëndë. /Marrë nga Gazeta Shqip