Përplasje e ankesa për presion ndaj mësimdhënësve për të hyrë në grevë ka pasur nëpër komuna. Në Ferizaj, shkolla “Gjon Serreçi” kishte njoftuar se mësimi do të niste më 1 shtator, por nxënësve iu mohua të ulen në bankat shkollore.
Mëngjesi i së enjtes, shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj e gjeti plot me nxënës dhe mësimdhënës. Një natë më parë ishte dhënë njoftimi se mësimi do të niste, me gjithë grevën e SBASHK-ut.
Por, nxënësit u kthyen pa mbajtur mësim, pasi që mësimdhënësit nuk hynë nëpër klasa. Prapa kamerës, ata u ankuan për presione të ndryshme nga Sindikata, për t’iu bashkuar grevës.
Nazmi Heda, drejtor i shkollës, është kundër grevës.
“Arsyetimi me mjete financiare për t’i edukuar dhe arsimuar brezat e tërë, mendoj se nuk përkon me kohën që ne po ballafaqohemi dhe me situatën politike në përgjithësi që po mbretëron në Kosovë. Prandaj është mirë që edhe Sindikata t’i vazhdojë kërkesat, por jo duke kërcënuar me grevë dhe persekutuar fëmijët e sidomos fatosat që për herë të parë po vijnë në bankat shkollore”, ka thënë ai. /KOHA