Studime të ndryshme tregojnë se gati 2/3 e popullsisë në botë flasin dy ose më shumë gjuhë.
Një besim i zakonshëm është se mësimi një gjuhe është i vështirë për një fëmijë, atëherë mësimi i dy gjuhëve do ta jetë edhe më i vështirë. Por në fakt është e kundërta.
Familjet të cilat u mësojnë fëmijëve të tyre vetëm një gjuhë, që është dominuese në shoqëri, këshillohen nga profesionistë të mësojnë edhe një tjetër. Pastaj sesa bilingual bëhet një fëmijë kjo varet sa dëgjon dhe flet çdo gjuhë në jetën e tij të përditshme. Por pyetjet që lindin shpesh janë: a është e mundur që edhe një fëmijë me çrregullime të spektrit të autizmit ose çrregullime të tjera neurozhvillimore të rritet dygjuhësh (bilingual)? Nëse po, a e ndihmon apo e pengon dygjuhësia përvojën autike?
Deri kohët e fundit kishte shumë pasiguri në këtë drejtim, por studime të ndryshme kanë treguar se dygjuhësia nuk ka efekte negative në gjuhën, aftësitë sociale ose njohëse tek fëmijët që kanë çrregullime të spektrit të autizmit. Studiuesit nuk mbështesin idenë se rritje e një fëmije me ÇSA në një mjedis bilingual do të vonojë zhvillimin e gjuhës ose do të shkaktojë çrregullime gjuhësore. Përkundrazi, ata i inkurajojnë prindërit t’i ekspozojnë fëmijët me ÇSA, ndaj mjediseve bilinguale, sepse studimet tregojnë se nuk ka dallim në aftësinë gjuhësore (përfshire fjalorin dhe moshën e hershme) midis fëmijëve me ÇSA, që janë të ekspozuar ndaj një ose dy gjuhëve. Pra, konkretisht disa përfitime të dygjuhësisë ose bilinguizmit tek fëmijët me ÇSA janë si më poshtë:
Dygjuhësia ose bilinguizmi i ndihmon fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, të kompensojnë deficitet në atë të cilën quhet “teoria e mendjes” dhe funksionet ekzekutive. Fëmijët me ÇSA mund të kenë karakteristika të ndryshme sepse autizmi është një spektër, por ajo që ata kanë të përbashkët është se kanë vështirësi ta vendosin veten në vendin e bashkëbiseduesit. Pra, kanë vështirësi në të kuptuarit e perspektivave, besimeve, emocione, dëshirave të personave të tjerë, si dhe funksioneve ekzekutive, duke përfshirë aftësinë e vëmendjes dhe përqendrimit. Dygjuhësia i ndihmon ata fillimisht në aftësinë që lidhet me” teorinë e mendjes”, pra ai duhet të merret vazhdimisht me njohuritë e tjetrit duke kuptuar, p.sh se tjetri po flet shqip apo anglisht dhe në çfarë gjuhe duhet të flas” unë”. Në fazën e dytë fëmija përdor funksionet e tij ekzekutive duke përqendruar vëmendjen në njërën gjuhë, ndërsa frenon të dytën. Kjo është një gjimnastikë e trurit, e cila vepron aty ku fëmija ka deficite, që lidhen me spektrin autik.
Së dyti zhvillimi i aftësive bilinguale, ndihmon fëmijën të forcojë komunikimin, e sidomos komunikim verbal. Përsa kohë që fëmija vendoset të mësojë gjuhën, ai forcon komunikimin e tij, përdor më shumë fjalë, komunikon me prindërit, shokët e shoqet. Përsëritja e vazhdueshme e fjalëve e ndihmon të forcojë edhe më tepër kujtesën e tij. Gjithashtu, kur familja është bilinguale, e ndihmon atë të komunikojë me të dy prindërit e tij dhe forcon formimin e identiteteve etnike.
Së treti bilinguizmi, i ndihmon fëmijët me ÇSA të rrisin mundësinë për ndërveprim social. Duke qenë se mund të dinë dy ose më shumë gjuhë, ata mund të ndërveprojnë me persona të tjerë të ndryshëm. Pra, fëmijët mund të flasin brenda dhe jashtë shtëpisë, me familjen, shokët e shoqet dhe komunitetin. Por gjithashtu ata mund të futen në ndërveprim social edhe me persona të tjerë të huaj, nëse ndodhen në një shtet të huaj, në të cilin flitet gjuha që ata dijnë.
Së katërti fëmijët me ÇSA nga e gjithë bota tregojnë se kanë aftësi gjuhësore të krahasueshme me fëmijët njëgjuhësh me këtë gjendje. Ata tregojnë se ata fitojnë aftësi sociale dhe njohëse në një shkallë të ngjashme dhe se ata janë më të mirë në përdorimin e komunikimit joverbal, siç janë gjestet. Pra bilinguizmi forcon komunikimin joverbal tek fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit.
Së pesti bilinguizmi i ndihmon fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit të forcojnë mësimin e kulturës, simboleve kulturore, shenjave, sjelljeve apo veprimeve sipas vendit përkatës. Në se ata flasin gjuhën angleze, ata mund të mësojnë më shumë rreth kësaj gjuhe, kulture. P.sh nëse në gjuhën angleze pohimi i diçkaje është tundja e kokës lart poshtë, në gjuhën shqipe është e kundërta. Ose nëse ata shohin një simbol, ose një imazh ose foto në gjuhën që ata dinë e kanë më të lehtë ta dallojnë dhe ta kuptojnë atë.
Pra, ajo që prindërit, apo kujdestarët duhet të bëjnë, është të inkurajojnë mësimin e dy gjuhëve për fëmijët e tyre, në mënyrë që këta fëmijë të kapërcejnë disa aspekte të çrregullimit të tyre. Por duhet pasur parasysh, që kur vendoset se çfarë do të mësojë fëmija, të merrte për bazë edhe fakti se me cilët persona do të ndërveprojë si: anëtarët e familjes, mësuesit, terapistët, bashkëmoshatarët etj. Por, i rëndësishëm mbetet inkurajimi i mësimit të dy gjuhëve, sepse ajo shërben si një lloj terapie natyrale, e cila i ndihmon fëmijët të kapërcejnë disa vështirësi të tyre.
Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar
Burimi: https://humanum.al/
Revista Psikologji