Tash e disa muaj hapësira e banesës është vendi i vetëm ku ata qëndrojnë.
Dy nxënësit të shkollës “Dau Bogujevci” në Fushë Kosovë nuk janë duke vijuar procesin mësimor.
Motër e vëlla kanë vendosur të mos shkojnë në shkollën fillore ani pse me ligjet e Kosovës mësimi është i obliguar.
Nëna e tyre në kushte anonime për Tëvë 1 ka thënë se nuk i dinë arsyet se pse fëmijët e saj nuk janë duke ndjekur mësimin.
“Vallahi boll po i folim, natë për natë i marr i uli, i foli , ma se nuk bënë pa shkollë nuk mundeni kurgjo më bo pa shkollë duhet me shku… po po kur të bëhet nesër nuk shkojnë fëmija”, thotë ajo.
Vajza 13 vjeçare ka ndërprerë shkollimin në klasën e shtatë, kurse djali 11 vjeçar në klasën e katër.
E jetesa në kushte të rënda ekonomike sipas të ëmës ua ka vështirësuar fëmijëve të saj ndjekjen e ëndrrave të tyre.
“Çika ma mori teposhtën kur ia filloj të shtatën, burrin e kisha në burg librat nuk kisha me ia ble. Janë anku për ka këpucët për ka teshat për ka krejt se nuk kisha ka me marrë…Unë e kam ndreq socialin se nuk kisha kah me pagu qiranë knej harqi fëmija, tre me pampersa i kom, me qita shtesa të fëmijëve e kryjsha muajin”, shprehet nëna e dy fëmijëve që kanë ndërprerë mësimin.
Ajo shpreson që fëmijët e saj të rikthehen në bankat shkollore.
“Unë me mujt prej nesër, kurrë nuk ja u ndërpre, kurrë me mujt nuk ja u ndërprej. Por ndoshta i flet edhe burri pak. Çika kupton apet, por qik aspo shkon kur nuk po shkon as djali”, tregon ajo.
Për të rikthyer në procesin mësimor këta nxënës janë angazhuar ekipet edhe brenda shkollës e komunës së Fushë Kosovës por ende nuk është arritur rezultat pozitiv.
“Kemi njoftuar edhe Drejtorin e Arsimit në kuadër të DKA është i njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale. Në bashkëpunim me psikologen kemi pas një takim të përbashkët edhe prindërit ku kanë marrë pjesë ekipa në nivel të shkollës, ekipa në nivel të DKA edhe nga Qendra për Punë Sociale. Kanë arritur me bind prindërit por nuk është që ka pasur pozitivitet pasi pas disa ditëve kanë filluar të mos vijnë në shkollë”, thotë Betim Ahmeti – sekretar i shkollës “Daut Bogujevci”.
Përveç këtyre dy fëmijëve në këtë shkollë janë edhe dy nxënës tjerë pretendent për ta braktisur shkollimin. /Tëvë1