E martë, 26 Nëntor, 2024

Për pajisje të shkollave premtohet mall francez e paraqitet certifikatë kineze

- Advertisement1-

Ministria e Arsimit ka rekomanduar që të shpërblehet me tender prej 2.1 milionë eurosh për furnizimin e shkollave me pajisje për salla të edukatës fizike, një kompani që në raportin e ekspertit është cilësuar e papërgjegjshme. Sipas ekspertit, kompania ka paraqitur në katalog dyshekët e gjimnastikës si prodhim të një kompanie franceze, ndërsa certifikatë të produktit të një kompanie kineze.

Tenderi prej 2.1 milionë eurosh i Ministrisë së Arsimit për furnizimin e shkollave me pajisje të sallave të edukatës fizike, ka përfunduar në “gjykatën e tenderëve”.

- Advertisement -

Raporti i ekspertit në kuadër të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka konstatuar se Ministria ka rekomanduar që të shpërblehet me kontratë “Standard Home Furniture”, kompani administrativisht e papërgjegjshme.

Sipas raportit, kompania “Standard Home Furniture”, ka paraqitur në katalog dyshekët e gjimnastikës si prodhim të një kompanie franceze, ndërsa certifikatën e produktit të një kompanie kineze. Për këtë, eksperti ka kërkuar që lënda të shkojë në rivlerësim.

“Në rastin konkret katalogu i dorëzuar duhet të përkojë me prodhuesin e këtyre produkteve dhe prodhuesi duhet të jetë i njëjtë edhe me emrin për të cilin janë lëshuar certifikatat e bashkangjitura. Kështu, sipas ofertës së Operatorit Ekonomik të rekomanduar, katalogu i ofruar i prodhuesit nuk përkon me certifikatat e EN dhe DIN të kërkuara nga Autoriteti Kontraktues”, është thënë në raport.

E pronari i kompanisë “Standard Home Furniture”, Fidan Limaj, ka kundërshtuar përmbajtjen e raportit të ekspertit.

“Ne mund ta dërgojmë katalogun e një kompanie të huaj dhe ta punojmë të njëjtin produkt vetë. Unë kam për detyrë ta bëjë përshkrimin siç është në paramasë dhe në parallogari, dhe atë përshkrim të njëjtin, ta dërgoj me ato masa dhe me atë kualitet që është kërkuar në bazë të përshkrimit. Katalogu është vetëm për ta ilustruar se për çka është fjala”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.

Në Ministri të Arsimit nuk kanë treguar nëse Divizioni për Prokurim Publik ka vërejtur gjatë procesit gjetjen e ekspertit.

- Advertisement -rrrrrrr

Në një përgjigje të Ministrisë thuhet se ky institucion është duke pritur përfundimin e trajtimit të ankesës në OSHP.

“Procedura e prokurimit në fjalë është e pezulluar, pasi një operator ekonomik ka parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Jemi në pritje të vendimit nga OSHP-ja”, është thënë në përgjigjen e MASHTI-t.

Lënda nuk është trajtuar nga OSHP-ja brenda afatit ligjor, prej një muaji.

E mostrajtimi i ankesës në kohë, është kritikuar nga njohësi i proceseve të prokurimit publik, Valmir Ilazi.

“Vonesat e OSHP-së gjatë procesit të vendimmarrjes cenojnë të drejtat e palëve të përfshira në shqyrtimin e prokurimit publik. Gjithashtu rrisin rrezikun e padive në mosnxjerrjen e aktit administrativ në afatin e caktuar, si dhe kërkesat për kompensimin e dëmeve të operatorit ekonomik, sepse kalimi i afatit nënkupton heshtjen e organit administrativ dhe OSHP-ja bëhet cak i padive”, ka thënë Ilazi.

Në vitin 2022, bordi i OSHP-së ka vendosur që të mos shqyrtohen ankesat të cilave u ka skaduar afati ligjor prej 34 ditësh. Por sipas Ilazit, kjo nuk është duke u përfillur nga OSHP-ja në disa raste.

“Duhet ditur që vendimet jashtë afatit ligjor janë në kundërshtim të plotë me parimet e ligjshmërisë. Këto veprime nuk janë në vijë të drejtë me qëllimin për shqyrtimin brenda një afati kohor, ku për më tepër OSHP-ja ka zbatuar një qasje diskriminuese ndaj operatorëve ekonomikë, duke mos shqyrtuar ankesat e operatorëve ekonomikë brenda afateve kohore, ndërsa shumica e vendimeve janë jashtë afatit ligjor”, ka thënë ai.

Institucionet e arsimit parauniversitar kanë mungesë të pajisjeve dhe të infrastrukturës për zhvillimin e lëndës së edukatës fizike. Sipas një raporti të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, nxënësit në Kosovë janë më të dobët fizikisht sesa kohanikët e tyre në shtetet e rajonit. /KOHA.net

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Mid’hat Frashëri” në Krajk të Hasit feston në mënyrë madhështore 28 Nëntorin

Fëmijët e klasës përgatitore të SHFMU "Mid'hat Frashëri" Krajk -Has me edukatoret e tyre...

VJEN PREMTIMI I MADH: Nga 671 në 840 euro, rritje e pagave të mësimdhënësve në javën e parë të qeverisjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka prezantuar në Vushtrri planin...

Shkolla “Pjetër Budi” në Lubizhdë të Hasit organizon program festiv për 28 Nëntorin

Për nder të “28 Nëntor” , SHFMU “Pjetër Budi”, organizoi një program festiv për...

Poezi nga Teutë Bajraktari Cakaj: Në dheun e tokës sime

Në dheun e tokës sime Nëpër gurë të djegur, nëpër dhe të shkrumbuar Këmbët tona të...