Inspektorati i Arsimit i Republikës së Kosovës këtë vit mirëpret pjesëmarrësit e “Konferencës Ndërkombëtare të Përhershme të Inspektorateve-The Standing International Conference of Inspektorates-SICI”, e cila do të mbahet më 29 dhe 30 prill, në Prishtinë.
Në këtë Konferencë do të marrin pjesë inspektorë nga shtete të ndryshme të Evropës, ndërsa pjesëmarrësit nga Holanda, Anglia dhe Belgjika do të paraqiten edhe me prezantime, përfshirë edhe Kosovën, si vend nikoqir.
Ministrja, Arbërie Nagavci në fjalën e saj përshëndetëse ka folur për rolin e rëndësishëm të Inspektoratit të Arsimit, në përmirësimin e cilësisë në arsim dhe veprimet të cilat janë ndërmarrë gjatë katër viteve të fundit, në reformimin e thellë dhe rekrutimin e stafit, në mënyrë që ky institucion të fuqizohet dhe të mund të ushtrojë veprimtarinë e tij të plotë.
Ministrja Nagavci po ashtu ka thënë se, trajtimi dhe menaxhimi i sistemit arsimor i secilit shtet është prioritet mbi prioritete, e raste si këto kur kemi bashkëpunim në mes të përfaqësuesve të shteteve të ndryshme dhe ndahen përvoja, gjithsesi se reflektojnë me rezultate të cilat janë të mirëseardhura për secilin prej vendeve.
Ndër të tjera ministrja Nagavci ka theksuar se, asnjë sistem arsimor, përkundër pavarësisë dhe vullnetit të punës, nuk mund të funksionojë si duhet, pa një bosht të mirëfilltë të kontrollit dhe llogaridhënies.
Ministrja Nagavci, ka përgëzuar organizatorët e kësaj Konference, duke uruar që në seancat e punës të ketë diskutime të frytshme dhe shtetet pjesëmarrëse të përfitojnë nga kjo punëtori.
Zëvendëspresidentja e SICI-t, Wilma Brings tha se është e kënaqur për pjesëmarrjen e saj në Konferencë, duke shprehur mirënjohje dhe falënderim të thellë për Ministrinë e Arsimit, përkatësisht Inspektoratin e Arsimit, për mikëpritjen dhe organizmin e Konferencës së sivjetme. Ajo gjithashtu foli për rëndësinë e përditësimit të metodave të inspektimit, në mënyrë që ky institucion të ruaj relevancën në ambientet edukative.
SICI është organizatë e Inspektorateve të Arsimit në Evropë. Konferenca Ndërkombëtare e Përhershme e Inspektorateve (SICI) është një shoqatë kryesore globale e inspektorateve dhe vlerësuesve të arsimit.
E themeluar në vitin 1995, SICI tani bashkon 45 inspektorate dhe organe vlerësimi anëtare nga e gjithë bota.