Pas një pune mbi 36-vjeçare në arsim, këtë të martë është pensionuar Shefik Azizi, profesor i gjeografisë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, shkruan AlbanianEducation.net.
Me këtë rast, në këtë kolektiv është organizuar një takim përshëndetës, në të cilin janë thënë fjalë miradije për profesorin Shefik, për të cilin drejtori Bekim Mustafa tha se të gjithë së bashku kemi punuar me profesorin Shefik, që nuk ka qenë vetëm njeri profesional, por edhe njerëzor – një rrugëtim i gjatë dhe i pasur, që ai e ka përshkuar me përkushtim, pasion dhe mençuri.
Profesori Shefik Azizi, nuk i ka mësuar nxënësit e tij vetëm për lumenjtë, malet apo kontinentet e botës. Ai i mësoi ata që të kuptojnë hapësirën që i rrethon, të ndjejnë respekt për natyrën dhe kjo është një trashëgimi që nuk matet me vite pune, por me ndikimin që ka lënë në zemrat dhe mendjet e brezave.
“Pensionimi është një ndalesë e merituar, por ne e dimë se pasioni për dijen nuk fiket kurrë. Ju urojmë ditë të bukura, shëndet, qetësi dhe shumë kohë për të shijuar gjërat që ndoshta nuk keni pasur mundësi t’i bëni ndër vite”, ka thënë drejtori Bekim Mustafa, derisa zëvendësdrejtori i shkollës, Agim Asllani e ka falënderuar profesorin Shefik për çdo orë mësimi, çdo këshillë dhe çdo buzëqeshje që ka dhënë ndër vite.
Në këtë ditë të veçantë, Shefik Azizi, profesor, nuk ka lënë pa falënderuar kolektivin e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, sikurse edhe familjen e tij që e ka mbështetur në kohët më të vështira.
Ai kishte nisur profesionin e mësimdhëniet para 36 viteve dhe kishte ndërruar disa shkollë, andaj falënderoi të gjithë ata ku kishte punuar.
“Në gjimnaz gjeta mjedis pune, mjedis respekti dhe harmonie ndërkolegiale. Gjeta shumë shokë e shoqe. Asnjëherë nuk u ndjeva i anashkaluar, por përkundrazi, u ndjeva i afërt”, ka thënë profesori Shefik Azizi.
Ai ka shtuar se Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” njihet si shkollë elitare në rajon, andaj mësimdhënsve të rinj që do të vijnë u ka uruar që të jenë më të mirë se gjeneratat e tjera.