Shkolla “Gjon Buzuku”, ka njoftuar se është pensionuar profesori Beqir Letaj, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, duke dhënë kontribut në edukimin e gjeneratave të shumta në komunën e Prizrenit, shkruan Albanian Education.
Profesori Letaj u lind në vitin 1958 në fshatin Lukije të Hasit, ndërsa në vitin shkollor 1977/78 e filloi punën si mësimdhënës në sh.f.”Bajram Curri“ në Romajë. Një kohë ka punuar në paralelet e ndara të Lugishtës dhe Kushninit.
Pas vitit 1981, shprehet se ka punuar në rrethana represioni nga pushteti jugosllav, pasi vëllai i tij (Kasumi- tash profesor universitar) ishte burgosur politikisht.
Në vitin shkollor 1990/91, ka filluar punën si profesor i historisë në paralelen e gjimnazit në Zym dhe në qendër në Prizren. Gjatë viteve 1994/97 krahas punës në gjimnazin e Prizrenit, ka punuar vullnetarisht në paralelen e sapo hapur të gjimnazit në Gjonaj, ndërsa nga 1997/2000 në atë të Romajës.
Në vitet 90-ta, ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar (LASH) ”Naim Frashëri”, për Regjionin e Prizrenit.
Prof. Letaj është dalluar në punën edukativo-arsimore me nxënës, në aktivitetet e lira jashtëmësimore, si dhe ka dhënë kontribut të vlefshëm në aktivitete atdhetare, shoqërore dhe kulturore. Pas luftës ishte nismëtar për ndërtimin e shkollës në lagjen “Jeta e Re” të Prizrenit.
Nga viti shkollor 2009-2016, ushtroi detyrën e zv/drejtorit të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren.
Profesori shumëvjeçar Beqir Letaj, ka bërë një punë të mrekullueshme për botimin e monografisë “Gjimnazi i Prizrenit 1855-1968”, duke përmbushur zbrazëtinë e deritashme për këtë tempull të diturisë.