Një nga emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare, Mahmut Ferati, ka dalë në pension, duke u larguar kështu nga profesioni i shenjtë i profesorit.
Këtë etapë të rëndësishme të jetës, ai e ka përmbyllur me një këngë kushtuar pikërisht profesionit të tij dhe viteve të shumta në arsim.
“Lamtumirë ditar i shkollës” titullohet kënga e tij më e re, e cila ka prekur thellë të gjithë ata që patën fatin të marrin mësim nga ai ndër vite.
Njoftimi i shkollës:
LIDHJA E FUQISHME ME SHKOLLËN, KOLEGËT DHE ME NXËNËSIT TË PROF. MAHMUT FERATIT
Prof. Mahmut Ferati, si gjithnjë, realizoi një nga perlat më të përpunuara artistike, duke sjellur para publikut artdashës këngën lamtumirëse të karrierës së tij si mësimdhënës “Lamtumirë ditari i shkollës”, një lamtumirë që do t’i përshtatej çdo mësimdhënësi i cili do ta përmbyllë karrierën me ditar në dorë!
I brumosur me një kulturë popullore dhe me folklorin burimor të pastërt si gurrat e kulluara të Sharrit plak, nga i kishte njomur buzët fëmijërore, hirëplot, vijoji të ndritë fuqishëm sa me këngë sa në hapërimet plot entuziazëm në edukimin e gjeneratave të shumta në Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë, ku shumë shpejt do ta përmbyllë karrierën e tij si mësimdhënës i Artit muzikor.
Lamtumira…e Tij si këngëtar, kolegë e pedagog flet shumë para gjithë artdashësve të tij, para kolegëve, me të cilët në çdo kohë ndau të mirën dhe të keqen, ndau angazhimin intelektual të tij duke mos u dorëzuar as në çastet më të vështira të ballafaqimeve me situatat më të rënda të dëbimit nga objekti i shkollës gjatë viteve 90-të nga pushtuesi serbosllav, ndau shqetësimet e çdoditshme nga rreziqet e pandërprera që po ju kanoseshin gjithësecilit çdo fillim e deri në mbarim të orarit mësimor në shkollën shqipe.
Lamtumira… e Tij ju flet një armate të tërë nxënësish të cilët kaluan nën përkujdesin pedagogjik të prof. Mahmut me një trajtim shembullor e prindëror, me një racionalizëm të shprehur me plot kujdes, duke i frymëzuar që ta duan dhe ta shtojnë dijen bashkë me rritën e tyre, me këmbëngulësi të lartë dhe pa dilema!
Nxënësit i këshillonte gjithnjë që të këmbëngulnin t’i realizonin ambiciet e tyre rinore vetë, duke mos pritur nga të tjerët në asnjë çast, pa bërë kompromise për asgjë. Dëshironte t’i shihte sa më të përgatitur në çdo kohë dhe për çdo kohë!
Angazhimi i Tij si pedagog i përngjante notave të pentagramit, një simbolikë që s’duron as shkëputjen më të vogël sepse do ta humbë harmoninë ritmike dhe s’do të ruajë tërësinë kuptimplote!
Me vargjet e këngës së Tij, të cilën sapo e publikoi, prof. Mahmut Ferati vijëzoi më së miri përjetimin e një artisti të kalitur dhe të brumosur fuqishëm, me unin e tij krijues jo të çastit, por të ndërtuar dekada të shumta me shumë mund e sakrificë, një reflektim i qartë me fatet nëpër të cilat kaloi populli shqiptar dhe shkolla shqipe në përgjithësi.
Kontributi i tij si pedagog, lë gjurmë të thella në kujtesën tonë si drejtues shkolle dhe si kolegë me ditar në dorë, duke bartur mesazhin se “dorëzimi” i ditarit te kolegu më i ri bëhet me vullnet dhe ka simbolikën e duarve të sigurta, duke qenë i sigurt se puna do të vazhdohet si mision i ndërtimit të dijes dhe të formimit intelektual të brezave, që do të vijnë në vijim në bankat e gjimnazit tonë, një porosi e çiltër për gjithë sistemin tonë arsimor!
Reflektimi i përvojave në mësimdhënie të prof. Mahmut Ferati do të jenë hapërim i vazhdueshëm në qasjen e zhvillimeve edukativo-arsimore në Gjimnazin “Eqrem Çabej” dhe jo vetëm, një shembull që duhet të ndiqet nga çdo pedagog gjatë karrierës së tij në mësimdhënie!
Prof. Shemsedin Beqiri, drejtor