Është pensionuar profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Avdi Shkreli nga Peja, shkruan AlbanianEducation.net.
Njoftimi i shkollës së Mesme të Mjekësisë në Pejë:
Pas shumë dekadash përkushtim, pasion dhe punë të palodhshme në arsim, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Avdi Shkreli, i jep fund rrugëtimit të tij profesional në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Pejë.
Figura e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e gjeneratave të tëra nxënësish, të cilët përmes fjalës së tij të matur, dashurisë për gjuhën amtare dhe përkushtimit ndaj dijes, janë rritur jo vetëm si profesionistë të ardhshëm, por edhe si njerëz me vlera të larta njerëzore dhe kombëtare.
Profesor Shkreli nuk ishte vetëm mësues i fjalës së shkruar e të folur, por edhe model i edukatës, mençurisë dhe urtësisë. Në çdo orë mësimi ai e ka jetuar gjuhën shqipe, duke ia përcjellë nxënësve me përkushtim dashurinë për letërsinë, kulturën dhe identitetin kombëtar.
Me përulësi dhe mirënjohje e përshëndesim këtë kapitull të ri të jetës së tij – një kapitull i merituar pas një rrugëtimi të ndritur dhe frymëzues. Dalja në pension është një ndalesë fizike, por ndikimi i tij në mendjet dhe zemrat tona do të mbetet i përhershëm.
Faleminderit, Profesor Avdi Shkreli, për çdo orë, çdo këshillë, çdo fjalë të mençur.
Shkolla e Mjekësisë në Pejë do të mbajë gjithmonë me krenari emrin tuaj në historinë e saj.
Me respekt të thellë,
Kolektivi i Shkollës së Mesme të Mjekësisë – Pejë