Akademik Arsimi Bajrami është pensionuar sot. Profesori i njohur i fushës juridike në vend ishte pjesë e gjitha proceseve shtetformuese të Republikës së Kosovës.
Gjatë karrierës se tij ai ka qenë edhe bartës i shumë funksioneve publike politike.
Ishte deputet i zgjedhur në 5 mandate dhe ministër i qeverisë së Kosovës në dy mandate, Ministër i Administratës Publike dhe Ministër i Arsimit.
Ai ishte edhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ai përmes një postimi në Facebook ka falënderuar studentët dhe familjen e tij për mbështetje gjatë karrierës së tij.
“Sot është Ditëlindja ime e 65-të dhe njëkohësisht dita e pensionimit tim. Jam krenar dhe ndihem i lumtur që për 45 vjet (1979-2025) kam qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, si student, profesor, senator, anëtar i Këshillit Drejtues, prorektor dhe rektor. Tani, kur po pensionohem, dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia dhjetëra mijëra studentëve, juristëve dhe magjistrave të diplomuar, 38 doktorantëve që kam mentoruar dhe 12 asistentëve që kam ngritur dhe pavarësuar në ngritjen akademike. Po ashtu, shpreh falënderimet e sinqerta edhe për të gjithë kolegët e Fakultetit Juridik dhe Departamentit të Shkencave Politike.
Postimi i tij i plotë:
DITËLINDJA DHE PENSIONIMI
Sot është Ditëlindja ime e 65-të dhe njëkohësisht dita e pensionimit tim. Jam krenar dhe ndihem i lumtur që për 45 vjet (1979-2025) kam qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, si student, profesor, senator, anëtar i Këshillit Drejtues, prorektor dhe rektor.
Tani, kur po pensionohem, dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia dhjetëra mijëra studentëve, juristëve dhe magjistrave të diplomuar, 38 doktorantëve që kam mentoruar dhe 12 asistentëve që kam ngritur dhe pavarësuar në ngritjen akademike. Po ashtu, shpreh falënderimet e sinqerta edhe për të gjithë kolegët e Fakultetit Juridik dhe Departamentit të Shkencave Politike.
Krahas misionit tim akademik, për 3 dekada (1990-2017) i shërbeva me nder e krenari vendit tim në të gjitha proceset e shtetndërtimit, duke marr pjesë në negociatat në Rambuje për lirinë e Kosovës, negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosoves dhe duke qenë hartues dhe i të gjitha akteve kushtetuese nga viti 1990 e deri më sot, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, themelues i Gjykatës Kushtetuese të Kosoves dhe hartues i dhjetra ligjeve të Republikës së Kosovës. Poashtu, isha deputet i zgjedhur në 5 mandate dhe ministër i qeverisë së Kosovës në dy mandate (2007-2010 Ministër i Administratës Publike dhe 2014-2017 Ministër i Arsimit).
Në aspektin akademik kam realizuar misionin tim, duke qenë anëtar i rregullt-Akademik i tri akademive (2012 anëtar i ASHAK, 2015 anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA) dhe nga 2024 anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH)).
Për punen akademike e shkencore dhe shërbimin në shtetëndërtimin e Kosovës jamë shpërblyer me shumë çmime , dekorata e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare.
Falenderoj familjen time, nënen dhe bashkëshorten e ndjerë , kolegët, studentët dhe të gjithë miqtë e mi që më mbështetën në këtë rrugëtim.