Është pensionuar profesoresha Fatime Amiti nga Prishtina, shkruan AlbanianEducation.net.
Njoftimi i shkollës:
Sot, më 6 maj 2025, në ambientet e shkollës teknike “28 Nëntori” në Prishtinë, u mbajt një ceremoni e veçantë për të nderuar pensionimin e një prej profesoreshave më të dashura dhe të respektuara – znj. Fatime Amiti.
Një moment i mbushur me emocione, kujtime dhe mirënjohje për një rrugëtim të gjatë e të ndritur në shërbim të arsimit dhe gjuhës shqipe.
Fatime Amiti nuk ishte thjesht profesoresh– ajo ishte frymëzim. Si ish-nxënëse e kësaj shkolle, ajo u rikthye në të njëjtën bankë shkollore, kësaj here jo për të mësuar, por për të mësuar të tjerët. Për më shumë se 25 vite, ajo e bëri mision të jetës së saj përhapjen e dijes, dashurisë për gjuhën amtare dhe edukimit të gjeneratave të tëra me përkushtim, profesionalizëm dhe zemër të madhe.
Gjatë karrierës së saj, znj. Amiti u dallua për seriozitetin në punë, për qasjen njerëzore ndaj nxënësve, për korrektësinë dhe dashurinë me të cilën e trajtonte secilin prej tyre. Ajo ishte model i një mësueseje që nuk mësonte vetëm rregullat gramatikore, por edhe vlerat e jetës – respektin, përulësinë, punën dhe dashurinë për atdheun.
Kontributi i saj nuk kufizohet vetëm brenda mureve të shkollës. Fatime Amiti ka qenë pjesë aktive edhe në jetën kulturore e mediale të vendit, duke punuar për një periudhë në Radio Televizionin e Prishtinës. Aty, ajo solli zërin e saj të qetë dhe të kulturuar në shërbim të publikut, duke ndihmuar në përhapjen e gjuhës së pastër dhe vlerave kombëtare.
Me rastin e pensionimit të saj, stafi i shkollës, kolegët, nxënësit dhe ish-nxënësit shprehën mirënjohjen më të thellë për kontributin e saj të jashtëzakonshëm. Ajo largohet nga arsimi me kokën lart, me duart plot, dhe me zemrën e mbushur me dashurinë e atyre që e njohën dhe punuan me të.
Të dashur kolegë, të nderuar nxënës dhe miq të shkollës – le të jetë kjo ditë jo vetëm një ndarje, por një festë e jetës dhe e punës së një gruaje që për më shumë se dy dekada ishte shtyllë e arsimit dhe shembull i krenarisë së profesionit tonë.
Znj. Fatime Amiti, ju urojmë shëndet të mirë, vite të qeta e të lumtura në pension, dhe faleminderit për gjithçka që keni dhënë!