Pas më se tri dekadash punë sistematike, të palodhshme dhe të përkushtuar në arsim, profesori i lëndës së edukatës fizike Xhabir Halili, ditë më parë, në moshën 65 vjeçare i dha fund karrierës së tij si mësimdhënës në shkollën e mesme ”Sezai Surroi” në Bujanoc.
Kontributi i tij në arsimimin e gjeneratave fillon që nga viti 1987 pranë shkollës së mesme ”Sezai Surroi” në Bujanoc, duke u përballur me sfida të ndryshme për shkollimin e rinisë sonë. Në shenjë respekti dhe nderimi për kontributin e tij në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj, gjenerata me radhë, prej më se tri dekadash drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Zejni Fejzullahu, ka falënderuar profesorin Xhabir për angazhimin e mirëfilltë të tij, dhënë këtij tempulli të diturisë. Drejtori dhe kolektivi i shkollës së mesme ”Sezai Surroi” në Bujanoc, gjithashtu i kanë uruar pensionimin profesorit Xhabir, që së pari të ketë shëndet dhe njëherësh i kanë dëshiruar shëndet dhe pension të rehatshëm gjatë jetës së tij.
Biografia e profesor Xhabir Halilit
Xhabir Halili ishte profesor i lëndës së edukatës fizike pranë shkollës së mesme ,,Sezai Surroi’’ në Bujanoc, që nga viti 1987.
Xhabir Halili lindi më vitin 1958 në fshatin Tërnoc, komuna e Bujanocit. Shkollën fillore e ka mbaruar në Tërnoc, kurse shkollën e mesme në Bujanoc. Studimet i ka përfunduar në vitin 1987 në Universitetin e Zagrebit, në Fakultetin e Kulturës Fizike. Xhabir Halili në vitin 2006, me vendimin e Ministrisë së Arsimit të Kroacisë mori titullin Akademik: Magjistër i Kineziologjisë (Mag. Cin) të cilin titull e mban edhe sot. Në punën e palodhshme të profesor Xhabir Halilit në avancimin dhe edukimin e gjeneratave të reja, profesori i realizoi edhe më shumë aktivitetet jashtë shkollore, siç ishin organizimet e shumë turnirëve të ndryshme sportive: futboll, basketboll, atletikë, e tjera. Profesori mori pjesë edhe në shumë seminare. Gjatë kësaj periudhe shumëvjeçare profesori Xhabiri pati një bashkëpunim të shkëlqyer me stafin pedagogjik të shkollës.