Sot në ambientet e shkollës së artit pamorë “Adem Kastrati”, është organizuar një ceremoni me rastin e pensionimit të Rexhep Bunjakut, profesor prej shumë vitesh në këtë shkollë dhe në të cilën, përpos ish-profesorëve, familjarëve, profesorëve, kanë marrë pjesë edhe nxënës të shkollës.
Roland Masurica, drejtor i shkollës, ka thënë se takimi i sotëm është nderim i profesorit Rexhep Bunjaku, i cili, pas shumë vitesh përkushtimi, pasioni dhe pune të palodhshme, po i jep fund një kapitulli të rëndësishëm të jetës së tij profesionale, asaj të mësimdhënies.
“Prof. Rexhep Bunjaku, nuk ka qenë thjesht vetëm një mësues, ai ka qenë udhërrëfyesi ynë, frymëzuesi ynë, shembulli më i mirë se si dija dhe pasioni për mësimdhënien mund të ndikojnë në breza të tërë nxënësish. Me përkushtimin e tij, ai nuk i mësoi nxënësit vetëm si të dizajnojnë, të krijojnë apo të shprehin veten përmes artit – ai i mësoi ata si të ndjejnë thellë, si ta kuptojnë botën përreth dhe si të qëndrojnë vërtetë ndaj vetvetes”, ka thanë ai, duke shtuar se gjatë karrierës së tij të pasur, profesori Rexhep Bunjaku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e çdo nxënësi që ka pasur fatin ta ketë mësimdhënës.
“Sot nuk po e përshëndesim thjesht një koleg që po del në pension por po i japim lamtumirën një epoke. Asaj të përkushtimit, pasionit dhe përulësisë ndaj profesionit më të ndershëm – edukimit dhe arsimimit”, ka pohuar ai duke i uruar profesorit Bunjaku, edhe në emër të shkollës, shëndet të mirë, paqe dhe shumë kohë të lirë për t’u marrë me aktivitete të tjera që ai mund t’i ketë për zemër.
Në vazhdim kanë folur, edhe ish-profesorë, shokë të studimeve dhe të punës më vonë, Nijazi Haziri, Emrush Qamili, Hysni Halimi, Musa Qerimi, Zeqirjah Rrahmani, Musli Neziri (nip i profesorit), Agim Kajtazi, Reshat Alidema, Avni Behluli, Rasim Vllasaliu dhe Ruzhdi Kërqeli, të cilët, përpos evokime momentesh e shpërfaqjes së përshtypjeve të mira, profesorin e kanë uruar për ditë mira edhe në pjesën tjetër të jetës, tani si pensionist.
Vetë protagonisti i kësaj ngjarje, i ka falënderuar të gjithë, edhe për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, edhe për fjalët që ata kanë thënë për të dhe punën e tij.
Ai ka pohuar se ndonëse ka emocione që po përmbyllet karriera e tij si mësimdhënës, prapë se prapë, ndihet krenar që punë e ka bërë me nder dhe që e ka arritur këtë ditë.
“Shumë nga ju, kolegë të mi, do të vazhdoni edhe më punën. Përpos që ju dëshiroj më të mirat, gjithashtu, uroj që edhe ju, si unë, ta arrini moshën e pensionimit”, ka thënë profesori Rexhep Bunjaku duke i falënderuar të gjithë mësimdhënësit, edhe ata që tashmë janë të pensionuar, edhe ata që vazhdojnë punën për respektin që kanë treguar ndaj tij.
Në fund, drejtori i shkollës, Roland Masurica, për kontributin që Rexhep Bunjaku ka dhënë në ngritjen e shkollës së artit pamor, i ka ndarë një mirënjohje, ndërsa nxënësja Elirë Rexhepaj, në emër të klasëas XI/3, profili dizajn enterieri, i ka ndarë një fletore me një tekst vlerësimi për përkushtimin e tij si mësimdhënës në zhvillimin e nxënësve në fushën e dizajnit të modës.
* * *
NJË BIOGRAFIA E SHKURTËR
Profesor Rexhep Bunjaku, është lindur në Gumnishtë, ku e ka kryer edhe shkollën katërvjeçare, ndërsa katër të tjera në fshatin Cërnicë.
Në vitin 1974 është regjistruar në shkollën e mesme teknike, drejtimi i tekstilit, të cilën e mbaroi me sukses shembullor.
Në vitin 1978 i nisi studimet në shkollën e lartë të tekstilit në Varazhdin të Kroacisë, ku pasi që ka dëgjuar semestrin e parë, është transferuar në Universitetin e Zagrebit në shkollën e lartë.
Në të vitit 1981 ka diplomuar në këtë universitet duke marrë titullin “Inxhinier i tekstilit”.
Më pas, si bursist i kombinatit të tekstilit “Integj”, është kthyer në Kosovë dhe ka filluar punën si praktikant në kombinatin e tekstilit “Integj”.
Në moshën 21 vjeçare mori udhëheqjen e ndërrimit në fabrikën e tjerrtores, edhe pse si praktikant, punën e kreu me sukses por më vonë vendosi ta ndërpriste për të vazhduar Fakultetin teknologjik të tekstilit në Universitetin e Zagrebit.
Më 24 mars të vitit 1985 kreu fakultetin 4 vjeçar në drejtimin e tekstilit dhe veshjeve, dhe mori titullin “Inxhinier i Diplomuar i tekstilit dhe veshjeve” dhe pastaj edhe magjistër.
Me përfundimin e fakultetit u kthye në Kosovë dhe vazhdoi punën në kombinatin e tekstilit “Integj” si teknolog pranë organizatës prodhuese “Taftison”, si dhe vazhdoi të punojë me honorar në shkollën e mesme teknike drejtimi i tekstilit deri në vitin 1988 kur u avancua si Shef i njësisë punuese “Tjerrtorja e re ” me një numër mjaft të madh të punëtorëve nga të gjitha nacionalitet. Këtë punë e vazhdoi deri në vitin 1990, u përjashtua pasi nuk i pranoi masat e dhunshme të Serbisë. Si i papunë ishte deri në qershor të vitit 1999, kur menjëherë, pas çlirimit shkoi në vendin e punës që kishte punuar më parë në “Integj”, për të vazhduar deri në privatizimin e Integjit, si dhe pas privatizimit në kompaninë e re të “Integjit” deri kur edhe ndërpreu punën kjo kompani prodhuese.
Po në shtator të vitit 1999, prof. Rexhep Bunjaku, filloi punën në shkollën e mesme në profilin e tekstilit që atëherë ishte në kuadër të shkollës së bujqësisë. Aty punoi si profesor i lëndëve të tekstilit deri në vitin 2012 kur edhe u hap shkolla e mesme e Artit Pamor “Adem Kastrati”, për të vazhduar punën deri sot, ditën kur po pensionohet.
/2LONLINE/