Është pensionuar mësuesja Ismihane Obërtinca – “Mësuesja Hanë”, shkruan AlbanianEducation.net.
Në njoftimin e shkollës thuhet se “ajo ishte dhe do të mbetet një nga mësueset më të mira që kjo shkollë ka pasur ndonjëherë”.
“Mësuesja Ismihane binte në sy kudo – jo vetëm për profesionalizmin dhe autoritetin e saj, por edhe për pamjen e një zonje ikonike.”, thuhet në njoftim.
Njoftimi nga shkolla “Lismiri”:
Pensionimi i znj. Ismihane Obërtinca – “Mësuesja Hanë”
“Me shumë respekt, mirënjohje dhe emocion 💐
Sot po përcjellim në pension një emër që do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë dhe shpirtit të shkollës sonë SHFMU “Lismiri” – mësuesen e nderuar Ismihane Obërtinca.
Ajo ishte dhe do të mbetet një nga mësueset më të mira që kjo shkollë ka pasur ndonjëherë. Një mësuese që nuk dha vetëm dije, por edhe vlera, edukatë, përkushtim dhe dashuri për nxënësit. Breza të tërë janë rritur me fjalën e saj të urtë, me këshillat e saj të sinqerta dhe me shembullin e saj fisnik.
Mësuesja Ismihane binte në sy kudo – jo vetëm për profesionalizmin dhe autoritetin e saj, por edhe për pamjen e një zonje ikonike. Me flokët e bardha që simbolizonin mençurinë dhe përvojën, dhe me stilin e saj modern të veshjes, ajo ishte e dallueshme dhe e respektuar si nga ata që e njihnin, ashtu edhe nga ata që e takonin për herë të parë.
Ajo ishte shembull i një mësueseje të vërtetë: e palodhur, e drejtë, e përkushtuar dhe gjithmonë me dinjitet. Pensionimi i saj shënon fundin e një kapitulli të rëndësishëm, por trashëgimia që ajo la në këtë shkollë dhe në zemrat tona do të jetojë gjatë.
E nderuar mësuese Ismihane, ju faleminderit për çdo orë mësimi, për çdo fjalë inkurajuese dhe për çdo kontribut të dhënë me zemër. Ju urojmë shëndet, qetësi dhe ditë të mbushura me gëzim në këtë etapë të re të jetës.
Do të mbeteni gjithmonë pjesë e Lismirit dhe e kujtimeve tona më të bukura 🌹”