Pas më shumë se 44 viteve pune të palodhur me ditar në dorë dhe pasion të pashtershëm për edukimin dhe arsimimin e nxënësve, sot u pensionua luftëtari i dijes dhe lirisë së Kosovës, Sylejman Telaku, nga fshati Banjë e Malishevës.
Në këtë ngjarje të veçantë arsimore dhe kombëtare për shkollën shqipe, për lirinë e Kosovës dhe për luftëtarin e dijes, morën pjesë dhe folën nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, si dhe drejtoresha për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi.
Nënkryetari Krasniqi foli për kontributin e Sylejman Telakut si mësues dhe si bashkëluftëtar në radhët e para të UÇK-së, që nga fillimi i luftës deri në çlirimin e Kosovës.
“Kjo vepër e mësuesit dhe luftëtarit është një shembull i veçantë në historinë tonë më të re. Ajo dëshmon se puna me nxënës është jetike për Kosovën e lirë, të pavarur dhe në rrugën e saj të shtetndërtimit dhe zhvillimit. Ndaj ndjehu krenar dhe i kompletuar, mësues dhe bashkëluftëtar, para familjes, kolegëve, bashkëvendësve dhe Kosovës, sepse e përmbushe me sukses misionin tënd të mësuesit dhe luftëtarit të lirisë.”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, drejtoresha për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, në fjalën e saj vlerësoi lart dy misionet e Sylejman Telakut.
“Ju, mësimdhënës Sylejman Telaku, patët dy misione madhore: misionin e mësuesit dhe misionin e luftëtarit për çlirimin dhe lirinë e shkollës shqipe dhe të Kosovës. Ju patët dy betime: betimin e mësuesit dhe betimin e ushtarit të UÇK-së. Sot, të dy këto misione dhe betime i përmbyllni me nder, para nxënësve, kombit dhe atdheut, ballëlartë dhe faqebardhë.”, ka deklaruar ai.
Në këtë ceremoni të veçantë morën fjalën edhe drejtori i shkollës “Naim Frashëri”, Burim Begaj, si dhe ish-drejtorë, mësimdhënës dhe kolegë të Sylejman Telakut.
Në fund, atij iu ndanë mirënjohje nga Drejtoria për Arsim dhe Edukim, kolektivi i shkollës, familja, miqtë dhe shokët, si një shenjë falënderimi dhe respekti për kontributin e tij të pashoq si mësues dhe luftëtar.