Shkolla “Mitrush Kuteli” në Prishtinë ka njoftuar se pas 37 viteve përkushtim e devotshmëri në edukimin dhe arsimimin e shume brezave, është pensionuar Burim Surdulli, mësimdhënësi i matematikës, shkruan AlbanianEducation.net.
Njoftimi i shkollës:
”Një mësues prek përjetësinë; ai kurrë nuk mund ta dijë ku ndalet ndikimi i tij.” – Henry Adams
Pas 37 vite përkushtim e devotshmëri në edukimin dhe arsimimin e shume brezave, u pensionua mësimdhënësi i matematikës, z. Burim Surdulli.
Sukseset dhe kontributi i tij janë të panumërta ndër vite dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në edukimin e shume brezave.
Kontribuoi shumë për dijen, vlerësimin dhe të arriturat duke inkurajuar të gjithë nxënësit për të vazhduar tutje.
Po ashtu, ka qenë edhe një koleg i jashtëzakonshëm, gjithmonë i gatshëm për të dhënë një mendim objektiv pa asnjë kompleks apo qëllim të caktuar.
Prandaj me rastin e 65 vjetorit i urojmë shëndet të plotë, gëzim dhe lumturi pranë familjes. Gjithashtu urojmë që kapacitetet e tij intelektuale të vazhdojnë të shërbejnë në hartimin e librave dhe mbështetjen e nxënësve në njohjen e lëndës së matematikës.
Me këtë rast, drejtoria e shkollës ndau mirënjohje në emer të stafit. Këshilli i nxënësve së bashku me koordinatoren ndau mirënjohje dhe një album me ese dhe fotografi lamtumirëse e falenderimi të punuara nga nxënësit dhe mësimdhënësit.
Njëkohësisht u organizua edhe një darkë përshëndetëse.
Respekt dhe mirënjohje të përhershme për mësimdhënësin Burim Surdulli!