Është pensionuar mësimdhënësi Refki Mazreku nga Malisheva, shkruan AlbanainEducation.net.
Njoftimin e ka dhënë shkolla “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.
Postimi i shkollës:
Mbrëmje festive për ditëlindjen dhe pensionimin e mësuesit Refki Mazreku
Më 26 qershor 2025, në një ambient të bukur dhe solemn në restorantin “Goni”, drejtoria, kolektivi i shkollës dhe familja e mësuesit Refki Mazreku organizuan një mbrëmje festive me rastin e ditëlindjes dhe pensionimit të mësuesit model të artit muzikor, Refki Mazreku.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin deputetja në Kuvendin e Kosovës, ish drejtoresha e DKA-s, znj. Arbëreshë Krasniqi, përgjegjësi për arsim në Komunën e Malishevës, z. Sabit Berisha me bashkëpunëtorë, kryetari i sindikatës komunale të arsimit, z. Skënder Gashi, ish-drejtori i shkollës dhe koleg i mësuesit Refki, z. Rexhep Mazreku, kolege dhe kolegë nga SHFMU “Ibrahim Mazreku”, veteranë të arsimit, miq dhe familjarë të tij.
Mbrëmja nisi me një video përmbledhëse, e cila përmes fotografive paraqiti rrugëtimin jetësor dhe profesional të mësuesit Refki Mazreku.
Fjalën hapëse e mbajti drejtoresha e SHFMU “Ibrahim Mazreku”, znj. Rrezartë Mazreku-Kastrati, e cila njëherësh ishte edhe ish-nxënëse e mësuesit Refki. Ajo shprehu mirënjohje të thellë dhe respekt për personalitetin dhe përkushtimin e tij në arsim, duke e vlerësuar si një mësues të jashtëzakonshëm dhe artist të vërtetë. Ajo përmendi edhe krijimtarinë muzikore të tij, duke cituar vargje nga kënga korale kushtuar heroit Ibrahim Mazreku.
Drejtoresha tha:
“Refkiu, përmes këtij krijimi, ka dëshmuar se është më shumë se një mësues e artist – ai është një urë lidhëse mes brezave, një kultivues i vlerave të qëndrueshme kombëtare dhe edukative.”
Në fund të fjalës së saj, ajo shtoi:
“Shkolla jonë e nderon me mirënjohje të thellë mësuesin Refki, për talentin e jashtëzakonshëm, përkushtimin e vazhdueshëm dhe punën e shkëlqyer në shërbim të arsimit dhe të brezave të rinj. Jemi thellësisht mirënjohës për çdo orë të kaluar në klasë, për çdo notë muzikore që i keni dhuruar nxënësve dhe për çdo mesazh vlerash që keni mbjellë në zemrat e tyre.”
Në emër të Drejtorisë Komunale të Arsimit, urimin për pensionim e dha z. Sabit Berisha, ndërsa në emër të sindikatës komunale të arsimit fjalë përshëndetëse mbajti z. Skënder Gashi. Një fjalim rasti mbajti edhe ish-drejtoresha e Arsimit në Malishevë, tani deputete në Kuvendin e Kosovës, znj. Arbëreshë Krasniqi, e cila përgëzoi mësuesin Refki dhe përshëndeti të gjithë të pranishmit.
Me emocione të thella, mësuesi Refki falënderoi ish-drejtoreshën dhe stafin e DKA-së, drejtoreshën e shkollës znj. Rrezartë Mazreku-Kastrati për bashkëpunimin dhe mbështetjen, si dhe gjithë kolektivin e shkollës për rrugëtimin e përbashkët ndër vite. Ai u shprehu mirënjohje të veçantë nxënësve, prindërve dhe kolegëve për përkrahjen dhe bashkëpunimin e frytshëm.
Në emër të familjes Mazreku, të pranishmit i përshëndeti djali i mësuesit Refki, Mentori – gjithashtu mësues muzike – i cili falënderoi të gjithë për respektin dhe dashurinë e treguar ndaj prindit të tij gjatë gjithë karrierës së tij në shkollën “Ibrahim Mazreku”.
Mësuesi Refki u nderua nga shkolla dhe DKA me mirënjohje dhe dhurata simbolike.
Në fund, të gjithë i uruan shëndet, jetë të gjatë dhe pensionim të merituar!
Malishevë, më 26.06.2025