Është pensionuar Haxhi Dellova, mësimdhënës i shkollës “Bajram Curri” në Rahovec, shkruan AlbanianEducation.net.
Ai filloi punën si mësimdhënës në vitin 1985, duke ia kushtuar jetën e tij arsimit dhe edukimit të brezave të rinj.
Njoftimi i shkollës “Bajram Curri” në Rahovec:
Sot, në një ceremoni të veçantë dhe plot emocione, doli në pension mësimdhënësi i mësimit klasor, Haxhi Dellova.
Ai filloi punën si mësimdhënës në vitin 1985, duke ia kushtuar jetën e tij arsimit dhe edukimit të brezave të rinj. Që nga hapat e parë në profesion, ai u dallua për përkushtimin, seriozitetin dhe dashurinë ndaj nxënësve, duke e ushtruar detyrën me ndërgjegje të lartë dhe pa u lodhur asnjëherë.
Në kohën e luftës, kur vendi kishte më së shumti nevojë për bijtë e tij, ai iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kontributin e tij në luftën për liri dhe dinjitet kombëtar. Me guxim dhe sakrificë, ai qëndroi në shërbim të atdheut, duke dëshmuar se përveç misionit fisnik të mësuesit, kishte edhe ndjenjë të thellë atdhedashurie.
Pas përfundimit të luftës, ai vazhdoi të shërbejë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës deri në vitin 2003. Në shtator të vitit 2003, u rikthye sërish në shkollë për të vazhduar misionin e tij jetësor në arsim.
Për rreth katër dekada punoi në shkollën “Bajram Curri” në Krushë të Madhe, duke formuar dhe edukuar breza të tërë nxënësish.
Ai mbetet shembull i përkushtimit, sakrificës dhe profesionalizmit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme ndër gjenerata.
Urime pensionimin mësuesit Haxhi Dellova, me mirënjohje të thellë për kontributin e tij në arsim, në shërbim të atdheut dhe në liri!
Drejtoria e shkollës
📹📸 Photo “ETI” Krushë e Madhe


