Është pensionuar Xhavit Berisha, drejtor i shkollës “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë, shkruan AlbanianEducation.net.
Rrugëtimi i tij në arsim filloi më 6 nëntor 1984, në SHFMU “Tefik Çanga” në Koliq, në vendlindjen e tij – aty ku dikur ishte nxënës, për të vazhduar më pas si mësimdhënës, duke bashkëpunuar me mësimdhënësit e tij të dikurshëm dhe duke ruajtur gjithmonë respektin për ta.
Pas përmbylljes së një etape të rëndësishme në SHFMU “Tefik Çanga” në Koliq, më 12.04.2013, rrugëtimi i tij profesional vazhdoi në shkollën tonë – SHFMU “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, ku më 15.04.2013 mori përgjegjësinë e drejtimit të saj.
Në SHFMU “Xhavit Ahmeti”, për tri mandate dhe një vit shtesë, respektivisht për 13 vite të plota.



Njoftimi i shkollës:
MIRËNJOHJE PËR NJË RRUGËTIM TË DENJË NË ARSIM
Sot, me respekt të veçantë dhe mirënjohje të thellë, përcjellim në pension drejtorin e shkollës sonë z. Xhavit Berisha, pas një karriere të gjatë dhe të jashtëzakonshme 42-vjeçare në arsim.
Rrugëtimi i tij në arsim filloi më 6 nëntor 1984, në SHFMU “Tefik Çanga” në Koliq, në vendlindjen e tij – aty ku dikur ishte nxënës, për të vazhduar më pas si mësimdhënës, duke bashkëpunuar me mësimdhënësit e tij të dikurshëm dhe duke ruajtur gjithmonë respektin për ta.
Në mënyrë të veçantë vlerësohet angazhimi i tij gjatë viteve ’90 – në periudhën e sistemit paralel të arsimit, ku, përmes përkushtimit dhe sakrificës së madhe, dha një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe vazhdimësinë e arsimit shqip.
Kjo periudhë u karakterizua edhe nga sfida të rënda, përfshirë ndërprerjen e detyruar të procesit mësimor dhe ndarjen e pasigurt nga nxënësit në prag të bombardimeve të NATO-s.
Pas përfundimit të luftës dhe falë sakrificës së UÇK-së dhe mbështetjes së miqve ndërkombëtarë, u bë i mundur rifillimi i mësimit në institucionet tona, ku rifilloi punën si mësimdhënës, duke vazhduar përkushtimin ndaj arsimit.
Pas përmbylljes së një etape të rëndësishme në SHFMU “Tefik Çanga” në Koliq, më 12.04.2013, rrugëtimi i tij profesional vazhdoi në shkollën tonë – SHFMU “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, ku më 15.04.2013 mori përgjegjësinë e drejtimit të saj.
Në SHFMU “Xhavit Ahmeti”, për tri mandate dhe një vit shtesë, respektivisht për 13 vite të plota, drejtori z. Xhavit Berisha udhëhoqi shkollën tonë me urtësi, integritet dhe vizion, duke e ngritur atë në një model të bashkëpunimit, profesionalizmit dhe respektit të ndërsjellë, si dhe duke dëshmuar përkushtim dhe përgjegjësi të lartë në ushtrimin e detyrës.
Si drejtues, ishte më shumë se një administrator – një shtyllë mbështetjeje për stafin, një udhërrëfyes për nxënësit dhe një figurë që frymëzonte besim dhe përkushtim, duke krijuar një klimë pune të qëndrueshme dhe motivuese.
Nën këtë drejtim, bashkëpunimi mori formë të qëndrueshme dhe të besueshme, duke u shtrirë përtej mureve të shkollës – në marrëdhëniet me stafin, nxënësit dhe prindërit, me Këshillin Drejtues, si dhe me institucionet arsimore si DKA dhe MASHT.
Ky bashkëpunim u zgjerua edhe me organizata joqeveritare dhe donatorë të ndryshëm, duke sjellë përfitime konkrete për nxënësit dhe zhvillimin e shkollës sonë.
Me vendim të Kryetarit të Prishtinës, për tri vite me radhë ishte pjesë e komisionit intervistues për rekrutimin e mësimdhënësve të rinj në të gjitha shkollat e Prishtinës – një përgjegjësi e veçantë që dëshmon besimin institucional dhe vlerësimin për integritetin dhe profesionalizmin e tij.
Përveç angazhimit në shkollën tonë, gjatë karrierës së tij shërbeu për dy mandate si Kryetar i Këshillit Drejtues në SHML “28 Nëntori” në Prishtinë.
Gjatë gjithë rrugëtimit në arsim, drejtori z. Xhavit Berisha dha një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin dhe edukimin e shumë brezave, si dhe në udhëheqjen e shkollës sonë, të cilën e drejtoi me integritet dhe vizion, duke lënë pas një trashëgimi vlerash që do të jetojnë gjithmonë në institucionin tonë.
Puna, përkushtimi dhe shembulli i tij mbeten frymëzim për të gjithë ne.
I shprehim falënderimin më të sinqertë dhe i urojmë shëndet, qetësi dhe një pension të merituar, ndërsa në këtë ditë të veçantë i urojmë edhe ditëlindjen!
Disa njerëz nuk largohen nga vendet ku kanë dhënë më të mirën e tyre – ata mbeten në gjithçka që kanë ndërtuar.
FALEMINDERIT!
Me respekt të lartë,
Kolektivi i shkollës
SHFMU “Xhavit Ahmeti” Prishtinë