Një kapitull i rëndësishëm në arsimin e qytetit u mbyll sot me ceremoninë e organizuar në SHMU 2, ku u nderua pensionimi i arsimtares së gjuhës shqipe, Fahrije Shuku.
Pas gati katër dekadash përkushtim në edukimin e brezave dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, Shuku i dha fund rrugëtimit të saj profesional me shumë nderime dhe respekt.
Në emër të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Vushtrri, drejtori Albanez Tahiraj mbajti një fjalë rasti, duke vlerësuar punën e palodhshme të znj. Shuku si mësuese, udhërrëfyese dhe mbrojtëse e identitetit kulturor.
Ajo u përshkrua si një figurë e dashur dhe frymëzuese për nxënësit dhe kolegët, që përmes dashurisë për gjuhën shqipe la gjurmë të pashlyeshme në arsimimin lokal.
Në fund të ceremonisë, znj. Shuku u përshëndet me duartrokitje dhe mirënjohje, ndërsa iu urua shëndet dhe paqe në këtë fazë të re të jetës së saj.